Indeksi i çmimeve të pronave të banimit u rrit me 1,7 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2026, krahasuar me tremujorin paraprak.

Çmimet e pronave të banimit në Zvicër kanë vazhduar të rriten gjatë verës, si për shtëpitë familjare, ashtu edhe për banesat në pronësi.

Sipas të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave, indeksi zviceran i çmimeve të pronave të banimit arriti në 129,8 pikë gjatë periudhës korrik–shtator 2026. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çmimet u rritën me 4,4 për qind, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.

Në nivel kombëtar, shtëpitë familjare u shtrenjtuan me 2,1 për qind krahasuar me tremujorin paraprak, ndërsa banesat në pronësi me 1,3 për qind.

Në krahasim me një vit më parë, rritja ishte më e theksuar te banesat: çmimet e tyre u rritën me 5,4 për qind, ndërsa ato të shtëpive familjare me 3,3 për qind.

Rritja më e madhe tremujore, prej 3,4 për qind, u regjistrua në komunat urbane që ndodhen në aglomerate të vogla ose jashtë aglomerateve. Ndërkaq, rritja më e vogël, prej 0,6 për qind, u shënua në komunat që kanë njëkohësisht karakteristika urbane dhe rurale.

Indeksi përllogaritet në bazë të rreth 7 mijë transaksioneve nga rajone të ndryshme të Zvicrës, duke përdorur të dhëna nga institucionet kryesore të hipotekave.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume