Ushtarakë të lartë si edhe politikanë përgjegjës për politikën e jashtme dhe sigurinë nga bota arabe, Azia, SHBA-ja dhe Evropa, janë mbledhur në një konferencë sigurie në Manama, kryeqytetin e mbretërisë së Bahreinit në Gjirin Persik. Në plan të parë në konferencën e sigurisë “Manama Dialogue” ka dalë një pyetje urgjente: A po planifikojnë Shtetet e Bashkuara një goditje të re të madhe ushtarake kundër Iranit?

Një fazë e re përshkallëzimi konsiderohet prej shumëkujt e mundshme, thotë Hasan Alhasan. Ai drejton analizat për rajonin e Gjirit Persik në institutin kërkimor Institute for Strategic Studies (IISS). Sipas tij sinjalet që vijnë nga administrata e Donald Trumpit tregojnë se përgatitjet janë duke u zhvilluar.

“Një raund i ri luftimesh mund të jetë i pashmangshëm dhe të nisë shumë shpejt.” Kjo mund të ndodhë menjëherë pas zgjedhjeve të ndërmjetme në SHBA, të martën.

Megjithatë Alhasan thekson gjithashtu se një rikthim i konfliktit nuk është i pashmangshëm.

Lufta me Iranin është goditje për ekonominë

Nils Schmid, politikan i SPD-së dhe sekretar parlamentar i shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes, i cili po merr pjesë në konferencën e sigurisë “Manama Dialogue”, thekson: “Ne jemi që tani të prekur rëndë nga pasojat e luftës këtu në rajonin e Gjirit Persik, për shkak të rritjes së çmimeve të naftës, rritjes së inflacionit dhe dobësimit të ekonomisë botërore.”

Sipas Schmidit, një përshkallëzim i ri i luftës do ta dobësonte sërish ekonominë në Gjermani dhe në Evropë. “Për këtë arsye ne angazhohemi për një zgjidhje diplomatike.” thotë ai.

Por çfarë ndodh nëse thirrjet dhe nismat diplomatike mbeten pa rezultat? Nëse Irani, si reagim ndaj një sulmi të mundshëm amerikan, godet sërish në shkallë të gjerë objektet energjetike dhe bazat ushtarake?

Shtetet e Gjirit Persik po armatosen

Sascha Bruchmann, analist ushtarak në institutin kërkimor IISS në Manama, thotë: “Po shohim qartë se shtetet e Gjirit Persik kanë investuar në blerje të mëdha ushtarake.”

Ai përmend një marrëveshje me Ukrainën për teknologji për mbrojtjen kundër dronëve. Përveç kësaj, shtetet e Gjirit Persik kanë investuar miliarda dollarë në sisteme amerikane të mbrojtjes, kanë zhvilluar trajnime dhe kanë rishikuar sistemet dhe strukturat e tyre të sigurisë.

Bruchmann thekson se, për një periudhë afatmesmme, Shtetet e Bashkuara do të mbeten partneri më i rëndësishëm i mbrojtjes për vendet e Gjirit Persik.

Zhgënjim ndaj Trumpit

Në të njëjtën kohë nuk mund të fshihet zhgënjimi për faktin se presidenti amerikan, Donald Trump, e nisi luftën kundër Iranit, megjithëse shtetet arabe të Gjirit Persik kishin paralajmëruar kundër një hapi të tillë.

“Shtetet e Gjirit janë pa dyshim të vetëdijshme se nuk mund të mbështeten përgjithmonë te Shtetet e Bashkuara”, thotë kolegu i Bruchmannit, Hasan Alhasan. Si pasojë, sipas tij, po krijohen aleanca dhe partneritete të reja rajonale për sigurinë.

Ai përmend aleancën e mbrojtjes midis Arabisë Saudite, Turqisë dhe Pakistanit. Edhe vende të tjera të rajonit po kërkojnë partnerë të rinj për sigurinë e tyre. Koreja e Jugut po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm si furnizues me sisteme mbrojtjeje. Ndërkohë Emiratet e Bashkuara Arabe po mbështeten gjithashtu edhe tek teknologjia izraelite.

Greqia kërkon më shumë angazhim nga BE-ja

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, bëri në takim thirrje për një angazhim më të fortë evropian për mbrojtjen e lirisë së rrugëve detare edhe me mjete ushtarake.

“Nëse shqetësimet për sigurinë e miqve tanë në Gjirin Persik na interesojnë vërtet, duhet të tregojmë më aktivisht se fjalët tona shoqërohen edhe me veprime.”

Konkretisht, Mitsotakis iu referua misionit detar të Bashkimit Evropian “Aspides”, i cili synon të mbrojë anijet tregtare ndërkombëtare nga sulmet e rebelëve Huthi të Jemenit.

Aktualisht në misionin “Aspides” marrin pjesë pesë shtete të BE-së, mes tyre edhe Gjermania. Megjithatë sipas kryeministrit grek, numri i vendeve pjesëmarrëse mund të ishte edhe dhjetë.

Përfaqësuesit e Iranit nuk janë të pranishëm në konferencën “Manama Dialogue”. Bahreini është i vetmi shtet arab i Gjirit Persik që nuk ka marrëdhënie diplomatike me qeverinë në Teheran.

Në të njëjtën kohë delegatë nga Katari po zhvillojnë bisedime me qeverinë iraniane për të ndërmjetësuar mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, me shpresën që të shmanget përshkallëzimi i konfliktit që shumë vëzhgues presin të ndodhë. / DW

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume