Spitali Klinik i Tetovës realizon me sukses ndërhyrje moderne për korrigjimin e deformimit të kraharorit
Spitali Klinik i Tetovës ka shënuar një tjetër avancim në fushën e kirurgjisë torakale, duke realizuar me sukses ndërhyrje kirurgjikale për korrigjimin e deformitetit të kraharorit, të njohur si Pectus Excavatum.
Lajmi është bërë i ditur nga drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Dr. spec. Erzen Elezi, i cili njoftoi se ndërhyrjet janë realizuar përmes metodës minimalisht invazive, nga ekipi kirurgjikal i spitalit, me asistencën dhe ekspertizën e Prof. Dr. Wang Wenlin nga Guangdong i Kinës, ekspert i njohur ndërkombëtarisht në këtë fushë.
Sipas Elezit, këto zhvillime janë rezultat edhe i mbështetjes së vazhdueshme për avancimin e kapaciteteve profesionale dhe modernizimin e shërbimeve shëndetësore në këtë institucion.
Një tjetër element i rëndësishëm është fakti se pacientët që kanë përfituar nga këto ndërhyrje kanë ardhur nga pjesë të ndryshme të vendit, ndërsa drejtori Elezi thekson se Tetova po shndërrohet gradualisht në qendër referimi për trajtimin e këtij deformiteti.
Me këto ndërhyrje, Spitali Klinik i Tetovës synon të zgjerojë shërbimet e kirurgjisë moderne dhe të ofrojë trajtime me standarde ndërkombëtare më pranë pacientëve.



