Një femicid i rëndë dyshohet se ka ndodhur në Bogdanc, ku viktimë është 17-vjeçarja Biljana Kiriq, ndërsa si autor i dyshuar për vrasjen përmendet 21-vjeçari Viktor Guntarov, i cili gjithashtu u gjet i vdekur pranë veturës së djegur.

Familjari i vajzës, në një deklaratë për gazetën „Sloboden Peçat“, ka rrëfyer se Biljana për muaj të tërë ishte rrahur dhe sulmuar nga Guntarov, madje edhe në vende publike. Sipas tij, ajo e kishte denoncuar disa herë në polici, ndërsa ndaj tij ishin shqiptuar edhe masa mbrojtëse për të mos iu afruar, të cilat ai nuk i kishte respektuar.

Sipas dëshmisë së familjarit, Guntarov e kishte detyruar vajzën të hipte në veturë, më pas e kishte djegur atë dhe në fund i kishte marrë jetën vetes. Biljana kishte qenë për një kohë të gjatë në lidhje me të, por kishte dashur t’i jepte fund marrëdhënies, gjë që nuk kishte arritur ta bënte.

„Ishte një vajzë shumë e dashur. Vijonte shkollën e mesme të mjekësisë dhe kryente praktikën në spitalin e Gjevgjelisë. Nuk arrinin ta shkëputnin prej tij. E keqtrajtonte për një kohë të gjatë. Të gjitha institucionet kanë dështuar, por më së shumti Qendra për Punë Sociale“, ka deklaruar familjari i shqetësuar për „Sloboden Peçat“.

Nga Prokuroria Themelore Publike thonë se indikacionet e para tregojnë për vrasje dhe vetëvrasje, por rasti do të hetohet plotësisht.

Sipas informacioneve jozyrtare, janë siguruar edhe pamje nga kamerat e sigurisë në disa lokacione të qytetit, ku shihet se si Guntarov e merr viktimën me veturë, e dërgon në vendin ku dyshohet se ka kryer vrasjen dhe më pas i merr jetën vetes.

Vajza e kishte denoncuar për dhunë

Biljana Kiriq më 16 tetor e kishte denoncuar Viktor Guntarovin për rrezikim të sigurisë.

„Pas denoncimit, menjëherë ka filluar të veprohet, ndërsa ndërkohë, në procedurë civile, personit i ishin shqiptuar masa mbrojtëse nga dhuna në familje“, bëjnë të ditur nga Prokuroria.

Ndërkohë, sipas informacioneve zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 3 nëntor, në orën 18:40, një banor i Bogdancit kishte denoncuar se në vendin e quajtur „Içeva Çeshma“, në Gorno Selo, kishte vërejtur një veturë të parkuar të përfshirë nga zjarri dhe një trup të pajetë pranë saj.

Policia kishte konstatuar se trupi i pajetë i përkiste V.G. (21) nga Bogdanci. Pas shuarjes së zjarrit, në veturë ishte gjetur edhe një person tjetër i djegur, pa shenja jete.

Me urdhër të prokurorit publik, të dy trupat janë dërguar për obduksion, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rastit.

Babai e kishte denoncuar edhe më 1 tetor

Sipas MPB-së, më 1 tetor 2026, në orën 01:30, babai i Biljanës, Xhoko Kiriq (46), kishte denoncuar në polici se një natë më parë, rreth orës 21:00, pas një zënke verbale mes vajzës së tij 17-vjeçare dhe Viktor Guntarovit, me të cilin ishte në lidhje dashurie, ky i fundit e kishte sulmuar fizikisht në shtëpinë e tij familjare në Bogdanc.

Sipas denoncimit, Guntarov e kishte kërcënuar me jetë nëse largohej nga shtëpia, ndërsa ia kishte dëmtuar edhe telefonin celular, me qëllim që ajo të mos kishte mundësi të telefononte policinë.

Në një moment, vajza kishte arritur të largohej nga shtëpia përmes dritares. Ndihmë i kishin ofruar kalimtarë të rastit, të cilët kishin njoftuar policinë, ndërsa ajo ishte dërguar në Ndihmën e Shpejtë të Spitalit të Përgjithshëm në Gjevgjeli.

Policia e kishte privuar nga liria Guntarovin më 1 tetor, ndërsa më 14 tetor Zyra e Jashtme për Çështje Kriminalistike në Gjevgjeli kishte ngritur kallëzim penal ndaj tij për veprën penale „Lëndim trupor“, sipas nenit 130, paragrafi 2 të Kodit Penal.

Rrjeti kundër dhunës ndaj grave: Edhe sa jetë duhet të humben?

Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje ka reaguar ashpër pas tragjedisë në Bogdanc, duke kërkuar hetim urgjent, të plotë dhe të pavarur për të gjitha rrethanat e rastit, përfshirë edhe mënyrën se si institucionet kanë vepruar pas denoncimeve të mëparshme për dhunë.

„Edhe sa jetë duhet të humben derisa Kuvendi të diskutojë nëse mbrojtja nga dhuna me bazë gjinore është tepër progresive?“, pyesin nga Rrjeti.

Ata theksojnë se, derisa po përcaktohen identiteti i personit të dytë të vdekur dhe shkaqet e vdekjes, një pyetje kërkon përgjigje urgjente: A i kanë ndërmarrë institucionet të gjitha masat për mbrojtjen e viktimës pas denoncimit të dhunës?

Nga Rrjeti rikujtojnë se vetëm tetë muaj më parë, vdekja tragjike e Ivanës dhe vajzës së saj gjashtëvjeçare kishte tronditur opinionin publik. Pas asaj ngjarjeje, institucionet dhe organizatat qytetare kishin marrë përsipër përgatitjen e ndryshimeve ligjore dhe përmirësimin e veprimeve institucionale, me qëllim që viktimat të merrnin mbrojtje në kohë dhe në mënyrë efektive.

Sipas tyre, atëherë ishin identifikuar dobësitë e sistemit, nevoja për vlerësim më të mirë të rrezikut dhe koordinim më të madh ndërmjet policisë, prokurorisë, gjykatave dhe qendrave për punë sociale.

Megjithatë, tetë muaj më vonë, sërish përballemi me një tragjedi të cilës i kishte paraprirë denoncimi për dhunë.

Rrjeti thekson se në gusht në Kuvend ishin propozuar ndryshime vetëm në një ligj, atë për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje, por edhe këto ndryshime vazhdojnë të përballen me zvarritje politike.

Ata kërkojnë nga Kuvendi që menjëherë të sqarojë publikisht se në cilën fazë ndodhen ndryshimet e propozuara dhe pse ende nuk janë miratuar.

Veçanërisht shqetësuese, sipas tyre, janë informacionet se një pjesë e shumicës parlamentare i kundërshton zgjidhjet e propozuara me arsyetimin se janë „tepër progresive“, për shkak të përdorimit të termave barazi gjinore dhe dhunë me bazë gjinore.

„Nëse kjo është arsyeja për të cilën po vonohet forcimi i mbrojtjes së viktimave, atëherë bëhet fjalë për papërgjegjësi politike me pasoja potencialisht të rënda“, theksojnë nga Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje.