Vetëm 62 për qind e popullsisë në Maqedoninë e Veriut është vaksinuar kundër fruthit, duke rritur rrezikun e shpërthimit të një epidemie të re. Paralajmërimi vjen nga Instituti i Shëndetit Publik, i cili konfirmon se deri tani janë regjistruar pesë raste të sëmundjes.
Drejtoresha e institutit, Marija Andonovska, tha se niveli aktual i vaksinimit nuk ofron mbrojtje të mjaftueshme ndaj përhapjes së virusit, ndërsa në disa vende të rajonit janë regjistruar qindra raste.
Rasti i fundit është konfirmuar te një fëmijë njëvjeçar e gjysmë. Mes pesë të infektuarve janë tre fëmijë të vegjël, një burrë 45-vjeçar dhe një person nga Kosova.
Andonovska paralajmëroi se fruthi është jashtëzakonisht ngjitës dhe mund të përhapet edhe pas një ekspozimi të shkurtër ndaj virusit në ambiente të mbyllura. Ajo fajësoi edhe dezinformatat në rrjetet sociale për uljen e besimit te vaksinimi.