I nderuar ambasador Rokas,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të nderuar qytetarë,
Komisioni Evropian publikoi raportin vjetor mbi përparimin në procesin e integrimit evropian.

Së pari, dëshiroj ta falënderoj Komisionin Evropian për përkushtimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj përpjekjeve tona reformuese.

Gjithashtu, e falënderoj ambasadorin Rokas për bashkëpunimin konstruktiv dhe dialogun e hapur që kemi zhvilluar lidhur me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen tonë evropiane.

Kemi raport më të mirë se vitin e kaluar.
Komisioni Evropian konstaton përparim të konsiderueshëm në zbatimin e Agjendës sonë të Reformave dhe na rendit ndër vendet me rezultatet më të mira në kuadër të Instrumentit Evropian për Reforma dhe Rritje.
Në raportin e këtij viti nuk ka asnjë vlerësim për regres.
Përkundrazi!
Në dy kapituj negociues është rritur niveli i përgatitjes për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përkatësisht në fushën e transformimit digjital dhe mediave, si dhe në atë të arsimit dhe kulturës.
Vitin e kaluar, një përmirësim i tillë ishte evidentuar vetëm në një kapitull.
Këto vlerësime mbështeten në rezultate konkrete.
Deri në qershor të këtij viti, Komisioni Evropian ka lëshuar 142.1 milionë euro në kuadër të Agjendës Reformuese.
Në raport konfirmohet edhe rritja ekonomike prej 3.5 për qind në vitin 2025. Ky raport i Komisionit Evropian përfshin periudhën raportuese deri më 31 gusht të këtij viti, ndonëse më pas edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, edhe Banka Botërore i kanë rishikuar në rritje parashikimet e tyre për këtë vit. Pse? Sepse, do të thoja, kemi të bëjmë me të dhënat e përditësuara sërish për rritjen ekonomike në vitet 2024 dhe 2025. Në vitin 2024, parashikimi i rritjes u rishikua nga 3 në 3.8 për qind, ndërsa në vitin 2025, nga 3.5 në 3.8 për qind.
Papunësia, gjatë së njëjtës periudhë, u ul nga 12.5 në 11.7 për qind.
Këto janë rezultate që Komisioni Evropian i evidenton në vlerësimin e tij zyrtar për ekonominë tonë.
Komisioni Evropian konstaton përparim të mirë në fushën e transformimit digjital, shkencës dhe kërkimit shkencor, si dhe në politikën e jashtme dhe atë të mbrojtjes.
Deri në qershor të këtij viti, 44 institucione shtetërore kanë përdorur sistemin e ri për arkivimin elektronik dhe menaxhimin e dokumenteve.
Sipas të dhënave deri në fund të gushtit, Portali Nacional ofron 338 shërbime elektronike, përfshirë edhe ato që janë pjesërisht në dispozicion, ndërsa përdorimi i tij është dyfishuar krahasuar me vitin paraprak.
Këto janë ndryshime që nënkuptojnë institucione më efikase, procedura më të thjeshta dhe shërbime më cilësore për qytetarët dhe kompanitë.
Në fushën e arsimit është miratuar Strategjia e re për periudhën 2026–2032.
Vazhdon zhvillimi i arsimit profesional, ndërsa janë krijuar gjithsej tetë qendra rajonale për arsim profesional, prej të cilave tri tashmë janë funksionale.
Edhe këto ndryshime janë vlerësuar në raport.
Dëshiroj të ndalem veçanërisht te sistemi gjyqësor.
Komisioni Evropian konstaton se Ligji i ri për Këshillin Gjyqësor adreson në masë të madhe rekomandimet e Komisionit të Venedikut.
I rëndësishëm është krahasimi me vitin e kaluar.
Në kapitullin 23, i cili përfshin gjyqësorin dhe të drejtat themelore, Komisioni Evropian në vitin 2025 konstatoi se nuk kishte përparim.
Këtë vit, konstaton përparim të kufizuar.
Sa i përket funksionimit të sistemit gjyqësor, vlerësimi përmirësohet nga “mungesë e përparimit” në “njëfarë përparimi”.
Ky është një zhvillim pozitiv që duhet të vazhdojë dhe të dëshmohet përmes rezultateve konkrete në praktikë.
Të nderuar,
Në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë, Komisioni Evropian konfirmon gjithashtu harmonizimin tonë të plotë me politikën e përbashkët të Bashkimit Evropian.
Kjo përbën një konfirmim të qartë të përcaktimit tonë strategjik dhe të rolit tonë si partner i besueshëm dhe kredibil evropian.
Këto janë konstatime konkrete të raportit.
Të dhëna, reforma dhe rezultate që janë objekt i vlerësimit të pavarur nga institucionet evropiane.
Por raporti përmban edhe vërejtje dhe ne i marrim ato me seriozitet të plotë. Ato janë pjesë e detyrimeve që duhet t’i përmbushim para qytetarëve tanë, pavarësisht nga dinamika e negociatave të anëtarësimit.
Përgjegjësinë për zbatimin e reformave e kanë të gjitha institucionet kompetente.
Qeveria duhet të vazhdojë me reformat ligjore dhe institucionale, të sigurojë kushtet dhe burimet e nevojshme.
Nga organet gjyqësore dhe të prokurorisë priten rezultate konkrete, profesionalizëm dhe zbatim konsekuent i ligjeve.
Njëkohësisht, mbetet e hapur edhe çështja e ndryshimeve kushtetuese.
Qëndrimi ynë edhe më tej është se integrimet evropiane duhet të mbështeten në rregulla të qarta, një proces të parashikueshëm dhe besim të ndërsjellë.
Shteti ynë ka detyrimin t’i zbatojë reformat.
Procesi evropian ka nevojë për konsekuencë dhe parashikueshmëri.
Të nderuar bashkëqytetarë,
Dua sot të përcjell edhe një mesazh më të gjerë politik.
Për këtë shoqëri dhe për të gjitha partitë politike, integrimet evropiane mbeten një përcaktim strategjik i përhershëm.
Pavarësisht nga të gjitha sfidat dhe të gjitha vështirësitë me të cilat jemi përballur në dekadat e kaluara, përcaktimi ynë për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian mbetet i pandryshuar.

Arsyet për këtë janë shumë më të thella se cilido raport vjetor.
Mosmarrëveshjen me fqinjin tonë lindor dhe mosmarrëveshjen bilaterale të imponuar, qeveria e kaluar pranoi t’i përfshijë në kriteret e përgjithshme për anëtarësim, gjë që sigurisht paraqet një hendikep në zhvillimin e mosmarrëveshjeve integruese.
Ne nuk kemi mungesë reformash, por kushte politike të mbetura.
Bashkimi Evropian është partneri ynë më i rëndësishëm ekonomik.
Bashkimi Evropian është hapësirë e lëvizjes së lirë, rregullave të përbashkëta, mundësive ekonomike dhe stabilitetit institucional.
Anëtarësimi do të thotë qasje në tregun e madh evropian, mundësi më të mëdha për kompanitë vendase, më shumë investime, infrastrukturë më e mirë dhe standarde më të larta në të gjitha fushat e shoqërisë.
Kjo do të thotë edhe institucione më të forta, gjyqësor më efikas dhe mbrojtje më e mirë e të drejtave të çdo qytetari.
Për të rinjtë, perspektiva evropiane do të thotë më shumë mundësi për arsim, zhvillim profesional dhe punë.
Në rrethanat e sotme të ndërlikuara gjeopolitike, integrimi evropian merr rëndësi shtesë. Siguria e kontinentit evropian, konkurrueshmëria ekonomike, stabiliteti energjetik dhe qëndrueshmëria ndaj ndikimeve të jashtme varen gjithnjë e më shumë nga aftësia e Evropës për të vepruar bashkërisht.
Ballkani Perëndimor është pjesë e asaj të ardhmeje evropiane.
Prandaj besojmë se procesi i zgjerimit duhet të marrë energji të re.
Ajo energji duhet të burojë nga reformat që i zbatojnë vendet kandidate, por edhe nga përkushtimi i qartë politik i vetë Bashkimit Evropian.
Ne jemi të gatshëm ta marrim përsipër pjesën tonë të përgjegjësisë.
T’i forcojmë institucionet.
Ta përmirësojmë ekonominë.
Të luftojmë kundër korrupsionit.
.T’i harmonizojmë ligjet dhe standardet me ato evropiane.
Nuk kërkojmë privilegje.
Kërkojmë zbatim konsekuent të parimit se përparimi duhet të vlerësohet sipas rezultateve të arritura.
Besojmë në një Evropë që i përmbush premtimet e veta.
Që i respekton parimet e veta.
Dhe që ka vetëbesim të mjaftueshëm për ta vazhduar misionin e saj historik të bashkimit.
Në fund, më lejoni edhe një herë ta konfirmoj përkushtimin tonë ndaj procesit të reformave dhe bashkëpunimit me institucionet evropiane.
Do të vazhdojmë të punojmë me të njëjtin përkushtim.
Me masa konkrete, me rezultate të matshme dhe me perspektivë të qartë evropiane.
Edhe një herë në fund dua ta falënderoj ambasadorin për përkushtimin dhe mbështetjen e tij që e jep personalisht dhe si institucion në këtë proces.
Faleminderit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume