Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar hapjen e një tjetër hapësire komunikimi me studentët dhe pedagogët, përmes së cilës synon të zhvillojë dialog me të gjithë ata që kanë çështje dhe shqetësime për të diskutuar me qeverinë. Në fjalën e mbajtur në konferencën e përbashkët me ambasadoren e BE-së për Shqipërinë, Sofia Moreira de Sousa, Rama bëri të ditur se platforma e re do të vihet në dispozicion që nesër, duke theksuar se ajo do të jetë e hapur për çdo student që dëshiron të ndërveprojë me të dhe përfaqësuesit e qeverisë. Kryeministri pretendoi se tre grupe studentësh janë penguar me dhunë, online dhe fizikisht, që të zhvillonin takime me të, të cilat sipas tij ishin parashikuar të mbaheshin pa kamera dhe pa praninë e mediave.

“Siç e kam paralajmëruar, nesër ne do të ndezim një tjetër dritare në ekranet e kujtdo që është i interesuar, që është një dritare e Dialogut dhe që u ofrohet të gjithë atyre që duan të ndërveprojnë me mua, qeverinë për çdo çështje që ata e shohin me rëndësi. Një dritare dialogu për çdo student që kërcënohet nga pseudostudentë që shfaqen në dyert e auditorëve dhe që u çojnë mesazhe të dhunshme kujtdo që mendon ndryshe, sillet ndryshe apo që guxon për të hedhur hapin e dialogut”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë pretendoi se tre grupe studentësh janë përballur me presion dhe bullizim, pasi kishin shprehur dëshirën për t’u takuar me të.

“Tre grupe studentësh janë kthyer mbrapsht me dhunë online dhe offline nga këta lloj pseudosh në përpjekjen e tyre për të ardhur në takim me mua, pa kamera, pa foto, pa njoftim shtypi, thjesht për të biseduar. Tre grupe studentësh me emra dhe mbiemra, të dekonspiruar, dreqi e mori vesh se si dhe më pas të bullizuar në ekstrem”, u shpreh kryeministri.

Rama theksoi se nuk do të tërhiqet përballë kërcënimeve dhe dhunës, ndërsa kujtoi edhe angazhimin e tij në lëvizjet studentore kundër regjimit komunist.

“Një gjë dua të jetë e qartë: s’jam më student e pedagog, por vij nga ajo rrugë dhe bashkë me studentët kam dalë kundër një regjimi real, jo regjimi imagjinar, për të qenë i lirë për të thënë atë që dua dhe ku të dua. Kush mendon se me frikën, me kërcënimin, dhunën do ketë impaktin më të vogël mbi mua dhe rrugëtimin tonë, i ka bërë të gjitha llogaritë gabim”, deklaroi ai.

Kryeministri paralajmëroi gjithashtu masa ligjore, penale dhe administrative ndaj personave që, sipas tij, përfshihen në akte dhune, sulme ndaj policisë apo bllokim të rrugëve.

“Përkundrazi, do e marrë përgjigjen hap pas hapi, ligjërisht, siç po e marrin një nga një, edhe penalisht dhe administrativisht. Edhe ata që ngrenë dorën kundër policisë së shtetit dhe ata që bllokojnë rrugët dhe s’duan të dinë për dhjetëra mijëra të tjerë që janë në të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht në qytet”, nënvizoi Rama.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume