Është arrestuar autori i dyshuar i sulmeve të armatosura në provincën Afyon Karahisar të Turqisë, ku mbetën të vrarë tetë persona dhe një tjetër u plagos rëndë.
I dyshuari u kap në provincën e Eskişehirit, pas një operacioni të përbashkët të policisë dhe xhandarmërisë turke.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, autori ndalonte automjete rastësisht në rrugë dhe qëllonte me armë zjarri ndaj pasagjerëve. Mes viktimave janë edhe dy mësuese.
Tre persona u gjetën të pajetë në zonën e fshatit Ajazini dhe tre të tjerë pranë fshatit Kigir. Ndërsa dy gra të plagosura ndërruan jetë më vonë në spital. Një tjetër person vijon të jetë i shtruar në gjendje të rëndë. Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë.