Akademia Shqiptare e Shkencave dhe Arteve në Maqedoninë e Veriut para disa ditëve mbajti
Konferencën e saj të XI Shkencore, me temën bosht „Sfidat e decentralizimit dhe komunat
shqiptare në Maqedoninë e Veriut“.
Në përgjigje të thirrjes publike për pjesëmarrje, nga 23 punimet e paraqitura, në konferencë u
prezantuan 17 kumtesa nga studiues, profesorë universitarë dhe ekspertë të fushave të ndryshme
shkencore. Punimet trajtuan aspekte të rëndësishme të decentralizimit politik, administrativ dhe
fiskal, duke u përqendruar veçanërisht në funksionimin e komunave shqiptare, arsimin, zhvillimin
urban, ekonominë lokale, identitetin gjuhësor dhe marrëdhëniet ndërinstitucionale.
Konferenca u karakterizua nga një nivel i mirëfilltë shkencor dhe nga diskutime që synuan të
ofrojnë një pasqyrë kritike të gjendjes aktuale të vetëqeverisjes lokale. Në shumë prej kumtesave
u evidentuan jo vetëm problemet dhe mangësitë, por edhe mundësitë për zhvillim dhe fuqizim të
komunave.
Decentralizimi i arsimit – një sfidë e vazhdueshme
Një vend të rëndësishëm në konferencë zuri decentralizimi i arsimit. Prof. Dr. Xheladin Murati,
në kumtesën me titull „Determinantet shoqërore-pedagogjike të decentralizimit të arsimit“, trajtoi
rëndësinë e transferimit të kompetencave dhe përgjegjësive nga pushteti qendror drejt autoriteteve
lokale dhe institucioneve arsimore. Ai theksoi se decentralizimi duhet të kontribuojë në rritjen e
efikasitetit të menaxhimit, transparencës dhe përshtatjes së politikave arsimore me nevojat e
qytetarëve.
Ndërkaq, Prof. Dr. Avzi Mustafa, në punimin „Decentralizimi dhe menaxhimi i shkollave në rritjen
e cilësisë në arsim në komunat shqiptare në Maqedoni“, vuri në pah rëndësinë e demokratizimit të
institucioneve arsimore dhe përfshirjes së mësimdhënësve, prindërve, nxënësve, drejtuesve të
shkollave dhe aktorëve të tjerë shoqërorë në procesin e vendimmarrjes.
Prof. Dr. Xhemaludin Idrizi analizoi decentralizimin dhe arsimin në komunat shqiptare, me theks
të veçantë në Komunën e Çairit në Shkup. Ai u ndal te kompetencat e pushtetit lokal, financimi i
institucioneve arsimore, infrastruktura shkollore, burimet njerëzore dhe cilësia e procesit mësimor.
Në këtë kontekst, u evidentua se komunat vazhdojnë të përballen me vështirësi financiare,
infrastrukturore dhe kadrovike.
Prof. Dr. Abdulla Azizi teheksoi se edhe pse reforma e decentralizimit synonte rritjen e
autonomisë lokale, komunat shqiptare sot përballen me barriera të theksuara strukturore që
pengojnë funksionimin e tyre efektiv. Qëllimi kryesor i këtij studimi është të analizojë shkallën e
varësisë financiare të këtyre komunave nga pushteti qendror dhe të vlerësojë ndikimin e mungesës
së kapaciteteve menaxhuese në realizimin e një decentralizimi të mirëfilltë. Përmes një
metodologjie të kombinuar, e cila përfshin analizën e të dhënave buxhetore, rishikimin e kornizës
ligjore dhe intervistat me zyrtarë lokalë, punimi evidenton se transferet e kushtëzuara nga qeveria
qendrore mbeten burimi kryesor i mbijetesës financiare për këto komuna.
Çështjen e decentralizimit të arsimit e trajtuan edhe Prof. Asoc. Dr. Enida Kume dhe Prof. Dr.
Miranda Rira, të cilat ofruan një këndvështrim krahasues ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së
Veriut. Krahasimi nxori në pah dallimet në shpërndarjen e kompetencave, financimin dhe rolin e
pushtetit qendror në administrimin e arsimit parauniversitar.
Varësia nga pushteti qendror dhe kapacitetet e komunave
Një tjetër temë me rëndësi ishte autonomia juridike dhe financiare e komunave. Besart Belegu dhe
Lavdrim Terziu trajtuan kufizimet juridike dhe financiare që pengojnë autonominë lokale në
Maqedoninë e Veriut, duke sjellë edhe përvojën krahasuese të Kosovës. Në punim u theksua se
transferimi i përgjegjësive te komunat duhet të shoqërohet me burime të mjaftueshme financiare
dhe kapacitete administrative. Përndryshe, krijohet një hendek ndërmjet kompetencave të
përcaktuara me ligj dhe mundësive reale për realizimin e tyre.
Në këtë drejtim, Dr Muhamed Halili theksoi se decentralizimi është një proces që kërkon kohë dhe
përfshin tri dimensione themelore: transferimin politik, administrativ dhe fiskal. Sipas këtij
koncepti, decentralizimi nuk nënkupton vetëm bartjen e kompetencave, por edhe krijimin e
kushteve që qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre lokalë të vendosin për prioritetet dhe problemet e
komunitetit.
Zhvillimi urban, ekonomia lokale dhe identiteti kulturor
Konferenca trajtoi edhe transformimin e hapësirave urbane. Ardita Abduli u përqendrua në
dimensionet fizike, institucionale dhe sociale të këtij transformimi, duke theksuar rëndësinë e
faktorëve ekonomikë, institucionalë dhe demografikë në formësimin e qyteteve.
Prof. Dr. Nexhbi Veseli, Dr. Avni Arifi dhe Prof. Asoc. Dr. Teuta Kurtishi-Veseli prezantuan
temën „Tetova: Ekonomia dhe zhvillimi ekonomik lokal“. Në këtë punim u trajtua pozita e Tetovës
sipas Indeksit të Zhvillimit Komunal 2025, si dhe ndikimi i remitencave, migrimit dhe investimeve
ekonomike në zhvillimin e qytetit dhe rajonit të Pollogut.
Dr. Donika Bakiu trajtoi peizazhin gjuhësor në komunat shqiptare, duke u përqendruar te shenjat
publike, toponimia dhe simbolika gjuhësore në hapësirën publike. Ajo theksoi se prania vizuale e
gjuhës në një mjedis shumëgjuhësor nuk është vetëm çështje komunikimi, por edhe pasqyrim i
statusit institucional, politik dhe kulturor të komuniteteve.
Ndërkaq, Prof Dr. Hasan Jashari, në kumtesën „Sfidat e decentralizimit të pushtetit dhe
Marrëveshja e Ohrit“, shtroi çështjen e dallimit ndërmjet decentralizimit si parim demokratik dhe
zbatimit të tij në praktikë. Ai vuri në pah hendekun ndërmjet kornizës normative dhe realitetit
institucional në komunat me shumicë shqiptare, duke përmendur kufizimet në kompetencat
komunale, varësinë financiare nga pushteti qendror dhe ndërhyrjet në çështje që lidhen me
emërtimin e rrugëve, përdorimin e gjuhës, politikat arsimore dhe nderimin e personaliteteve lokale.
Bashkëpunimi rajonal dhe dimensionet kulturore
Në konferencë u trajtuan edhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Prof. Asoc. Dr.
Besnik Murati dhe Liridona Hyseni u ndalën te zbatimi i marrëveshjeve të përbashkëta
ndërqeveritare, duke vënë në pah mungesën e mekanizmave të rregullt të monitorimit, raporteve
publike dhe transparencës për realizimin e tyre. U theksua nevoja për përfshirjen më të madhe të
universiteteve, dhomave të tregtisë dhe shoqërisë civile në proceset e bashkëpunimit.
Prof. Dr. Ali Pajaziti dhe Besa Nuredini , kandidate për Ph.D., u përqëndruan në një analizë që
mbështetet në Teorinë e Krahasimit Shoqëror, Teorinë e Sistemeve Ekologjike dhe Teorinë e
Përdorimeve dhe Kënaqësive, duke theksuar se rezultatet në shëndetin mendor nuk përcaktohen
vetëm nga sjellja individuale, por edhe nga arkitektura e platformave, pabarazitë socioekonomike dhe pritshmëritë kulturore që strukturojnë pjesëmarrjen në hapësirën online.
Nga pikëpamja metodologjike, në hulumtimin për qytetërimin digjital dhe sfida e shëndetit
mendor u përdor një dizajn cilësor krahasues, duke integruar të dhëna të ndryshme.
Një dimension tjetër të diskutimit kulturor e solli Mel Ylliriani, me studimin mbi Manastirin e
Shën Bigorit, të cilin e analizoi si hapësirë historike, kulturore dhe sakrale. Punimi trajtoi
shtresëzimet e mundshme kulturore dhe simbolike të këtij monumenti, si dhe raportin ndërmjet
kujtesës kulturore, identitetit dhe trashëgimisë shpirtërore të trevës së Dibrës.
Decentralizimi duhet të shndërrohet në praktikë institucionale
Në përfundim të konferencës u theksua se Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe Kushtetuta e
Maqedonisë së Veriut përbëjnë bazën normative për zhvillimin e decentralizimit, por realizimi i
objektivave të tij varet në masë të madhe nga mënyra se si komunat i shfrytëzojnë kompetencat
dhe burimet që kanë në dispozicion.
Komunat shqiptare duhet të zhvillojnë kapacitetet e tyre institucionale, të forcojnë administrimin
financiar, të nxisin zhvillimin ekonomik lokal dhe të krijojnë institucione që do të kontribuojnë në
ruajtjen dhe avancimin e identitetit kulturor e gjuhësor.
Konferenca dëshmoi se decentralizimi nuk duhet të mbetet vetëm një koncept juridik apo premtim
politik, por duhet të shndërrohet në një proces funksional, përmes të cilit qytetarët do të kenë më
shumë mundësi të ndikojnë në vendimmarrjen lokale dhe në zhvillimin e komuniteteve të tyre.
Me këtë konferencë, Akademia Shqiptare e Shkencave dhe Arteve vazhdon traditën e organizimit
të tubimeve shkencore dhe të hapjes së debatit publik për çështje me rëndësi për shoqërinë
shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Tetovë,06.11.2026
Nga Këshilli për informim

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume