Dy persona kanë humbur jetën dhe 33 të tjerë janë plagosur pasi një autobus me targa serbe është përmbysur mëngjesin e së dielës në autostradën A3 në Kroaci.
Aksidenti ndodhi rreth orës 07:25, në kilometrin e 61-të të autostradës, menjëherë pas nyjës Ivanić-Grad, në drejtim të Zagrebit.
Sipas të dhënave të Ministrisë kroate të Shëndetësisë, nga të plagosurit, gjashtë kanë marrë lëndime të rënda, ndërsa 27 të tjerë janë lënduar më lehtë. Në autobus ndodheshin gjithsej 33 udhëtarë dhe dy shoferë.
Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë ekipet e emergjencës, zjarrfikësit dhe shërbimi i transportit mjekësor me helikopter. Të plagosurit janë dërguar për trajtim në spitalet e Zagrebit.
Për shkak të aksidentit, qarkullimi në këtë pjesë të autostradës është zhvilluar me vështirësi, vetëm në korsinë e majtë.
Shkaqet e aksidentit ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.