Rreth 800 mijë vende pune pritet të zhduken në Gjermani gjatë 15 viteve të ardhshme si pasojë e përhapjes së inteligjencës artificiale (AI). Megjithatë, paralelisht me vendet e punës që do të humbasin, pritet të krijohen edhe shumë profesione të reja.

Paralajmërimi vjen nga Andrea Nahles, drejtuese e Agjencisë Federale të Punësimit në Gjermani, e cila në një intervistë për gazetën gjermane Handelsblatt theksoi se asnjë sektor i ekonomisë nuk është më plotësisht i mbrojtur nga ndikimi i inteligjencës artificiale.

Sipas Nahles, sektorët që pritet të preken më shumë janë shërbimet, kompanitë e sigurimeve dhe bankat, ku shumë procese mund të automatizohen përmes teknologjisë së re.

Nga ana tjetër, profesionet që kërkojnë aftësi praktike dhe përdorin më pak inteligjencën artificiale pritet të jenë më rezistente. Edhe punonjësit me kualifikim të mesëm apo pa kualifikim të specializuar mund të vazhdojnë të kenë mundësi punësimi, pasi jo çdo detyrë mund të zëvendësohet nga teknologjia.

Nahles theksoi se Gjermania duhet të investojë më shumë në inteligjencën artificiale, por investimet duhet të kenë si qëllim rritjen e produktivitetit dhe përmirësimin e ekonomisë.

Papunësia, shqetësimi kryesor për momentin

Drejtuesja e Agjencisë Federale të Punësimit u shpreh se aktualisht papunësia përbën një shqetësim më të madh sesa mungesa e punonjësve të kualifikuar.

Megjithatë, sipas saj, kjo situatë mund të ndryshojë brenda pesë viteve, kur mungesa e fuqisë punëtore të specializuar pritet të bëhet një nga sfidat kryesore të tregut gjerman të punës.

Një tjetër faktor që ndikon është ndryshimi demografik. Gjermania humbet çdo vit rreth 500 mijë punonjës nga tregu i punës, ndërsa numri i të rinjve që vijnë nga vendet e tjera evropiane për të punuar në vend ndodhet në nivele shumë të ulëta.

Për këtë arsye, Nahles vlerëson se Gjermania duhet të tërheqë më shumë punonjës të kualifikuar edhe nga vendet jashtë Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, një përmirësim i situatës është vërejtur në sektorin e ndërtimit, kryesisht falë programeve të investimeve në infrastrukturë të ndërmarra nga qeveria gjermane.

Sipas parashikimeve, tregu gjerman i punës do të përballet me ndryshime të mëdha në vitet e ardhshme, ku inteligjenca artificiale, plakja e popullsisë dhe mungesa e fuqisë punëtore do të luajnë një rol vendimtar.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume