“VLEN-i ishte në Qeveri kur hyri Alta Banka!” Taravari godet fort: Sot kërkojnë fajtorë, por harrojnë përgjegjësinë e tyre!
Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të eksponentëve të VLEN-it lidhur me hyrjen e ALTA Bankës në Maqedoninë e Veriut, duke i akuzuar për amnezi politike selektive.
Taravari thekson se ALTA Banka hyri zyrtarisht në vend në shtator të vitit 2025, në kohën kur VLEN-i ishte pjesë e Qeverisë, ndërsa vazhdon të jetë pjesë e saj edhe sot.
Ai rikujton se Aleanca për Shqiptarët kishte paralajmëruar me kohë për rrezikun e zgjerimit të ndikimit të botës serbe në Maqedoninë e Veriut, përmes sektorit ekonomik dhe financiar, njofton TS.
Sipas Taravarit, këto shqetësime ishin mbështetur edhe në raportin e Komisionit Evropian, por paralajmërimet e tyre nuk ishin marrë seriozisht.
“Fajtorët kërkohen gjithandej, vetëm jo aty ku duhet!”, shprehet Taravari, duke kritikuar VLEN-in për shmangie të përgjegjësisë politike.
Në reagimin e tij, Taravari thekson se në vend të marrjes së përgjegjësisë, sot po zhvillohet një lojë politike ku palët ia hedhin fajin njëra-tjetrës, ndërsa qytetarët mbeten spektatorë.
“Përgjegjësia nuk matet me atë se sa mirë arrin ta hedhësh fajin te të tjerët, por me atë se çfarë ke bërë kur ke pasur mundësinë ta parandalosh problemin”, përfundon Taravari.