Pas premtimeve, ashensori në Spitalin e Gostivarit ende nuk punon, drejtori fajin ia hedh kompanisë, ndërsa sigurimi pengon gazetarin Nevrij Ademi (VIDEO)
Edhe pas premtimeve të shumta se do të rregullohet, ashensori në Spitalin e Gostivarit vazhdon të jetë jashtë funksionit.
Drejtori i spitalit, Emri Bajrami, disa ditë më parë kishte premtuar se ashensori do të rregullohej shumë shpejt, por gazetari i portalit TS, Nevrij Ademi, sot ka qenë në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar se ai ende nuk është në funksion.
Gjatë raportimit për këtë problem, gazetari Ademi është penguar nga sigurimi i spitalit, i cili i ka kërkuar dokumentacion adekuat për të raportuar brenda ambienteve të institucionit. Pas një zënke verbale, sigurimi është larguar.
Ademi ka tentuar të takojë drejtorin e spitalit, por ai nuk ka qenë në zyrë. Gazetari ka provuar ta kontaktojë disa herë edhe përmes telefonit, por drejtori ka qenë i pakapshëm.
Pas disa minutash, drejtori Emir Bajrami është paraqitur dhe ka deklaruar se problemi i ashensorit është paraqitur te kompania përgjegjëse, por ajo ende nuk e ka rregulluar defektin.
„Ishin edhe dje edhe sot nga kompania dhe na thanë se ka diçka me derën e ashensorit. Do të sjellin pjesë dhe do ta rregullojnë. Ata çka thonë, jo ne. Prej nesh nuk varet“, deklaroi për portalin TS drejtori i Spitalit të Gostivarit, Emri Bajrami.