Shoferi rumun i kamionit, i lidhur me njërin nga dy aksidentet zinxhir në autostradën “Trakia” në Bullgari, është ndaluar nga policia, ndërsa hetimet për zbardhjen e shkaqeve të tragjedisë po vazhdojnë.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të MPB-së në Jamboll, Dobrin Dimitrov, bëri të ditur se shoferi është marrë një herë në pyetje, ndërsa gjatë ditës pritet të japë një tjetër deklaratë.

Ende nuk është përcaktuar lëvizja e kamionit para përplasjes. Sipas informacioneve fillestare, dukshmëria në autostradë është ulur papritur, ndërsa po shqyrtohen dyshimet se kamioni lëvizte me shpejtësi të ulët ose po hynte në autostradë nga një korsi dytësore.

Në dy aksidentet zinxhir, pranë kryqëzimit të Zimnicës, humbën jetën 12 persona, ndërsa 51 të tjerë u lënduan. Në përplasjet masive u përfshinë gjithsej 86 automjete: 63 në drejtim të Burgasit dhe 23 në drejtim të Sofjes.

Për shkak të tragjedisë, Qeveria bullgare e shpalli 11 nëntorin Ditë Zie Kombëtare.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume