Tregu i patundshmërive në tremujorin e tretë të këtij viti ka shënuar aktivitet të zvogëluar, veçanërisht në shitblerjen e banesave, ndërsa interesi për qiradhënie ka shënuar rritje të konsiderueshme. Numri i banesave të shitura është ulur për 14 për qind në krahasim me tremujorin paraprak, ndërsa numri i banesave të dhëna me qira është rritur për plot 45 për qind, tregojnë të dhënat më të fundit të Agjencisë për Kadastër të Patundshmërive.

Sipas Raportit për Regjistrin e Çmimeve dhe Qirave, gjatë periudhës nga korriku deri në shtator janë regjistruar 7.679 transaksione me patundshmëri, që paraqet ulje prej 8,2 për qind krahasuar me tremujorin e dytë. Rënia më e madhe është vërejtur te shitblerjet, numri i të cilave është zvogëluar për 12,1 për qind. Në të kundërtën, numri i kontratave të lidhura për qiradhënie është rritur për 2,8 për qind.

Numri më i madh i transaksioneve të shitblerjes është regjistruar në komunën Qendër, gjithsej 562, që është për dy për qind më pak krahasuar me tremujorin paraprak.

Është zvogëluar edhe vlera e përgjithshme e transaksioneve, e cila në tremujorin e tretë ka arritur në 339 milionë euro, përkatësisht 3,6 për qind më pak se në tremujorin e dytë. Nga kjo shumë, 337,8 milionë euro kanë të bëjnë me shitblerjen e patundshmërive, ndërsa vlera e regjistruar e qirave ka arritur në 1,1 milion euro.

Te shitblerjet është regjistruar rënie e vlerës financiare prej 3,6 për qind, ndërsa te qiratë kjo vlerë është zvogëluar për 10,2 për qind, pavarësisht rritjes së numrit të banesave të dhëna me qira.

Sa u përket çmimeve, çmimi më i lartë për metër katror ka arritur në 3.121 euro dhe është realizuar në komunën Karposh. Për një banesë prej 41 metrash katrorë, blerësi ka paguar 128.000 euro. Ndërkaq, banesa më e shtrenjtë e shitur nga investitori kishte sipërfaqe prej 63 metrash katrorë, ndërsa çmimi i saj ka arritur në rreth 200.000 euro.

Në segmentin e qiradhënies, numri i banesave të dhëna me qira është rritur për 45 për qind, ndërsa shuma e përgjithshme mujore e qirave është rritur për 31 për qind krahasuar me tremujorin paraprak.

Nga Agjencia për Kadastër të Patundshmërive vlerësojnë se tregu po shfaq lëvizje të ndryshme në të dy segmentet: aktivitet të zvogëluar në shitblerje dhe rritje të moderuar të numrit të kontratave të qirasë, por njëkohësisht ulje të shumës së përgjithshme mujore të qirave.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume