Një banor i Çairit ka shprehur shqetësimin e tij në portalin TS dhe TerovaSot për largimin e sportelit të IP Qendrës Ndërkomunale për Punë Sociale të Qytetit të Shkupit, i cili më parë ka funksionuar pranë Xhamisë së Çairit.

Sipas tij, qytetarët e kësaj zone më parë kanë mundur t’i kryejnë shërbimet më shpejt dhe pa pritje të gjata, ndërsa tani detyrohen të drejtohen në Butel, ku, siç pretendon ai, pritjet zgjasin dy deri në tri orë.
Banori shpreh shqetësim të veçantë për të moshuarit, të cilët, sipas tij, presin me orë të tëra dhe në disa raste nuk arrijnë t’i përfundojnë procedurat.
Ai thotë se në sportelin në Butel punon vetëm një punonjës shqiptar dhe kërkon shtimin e stafit, në mënyrë që qytetarët të marrin shërbimet më shpejt dhe pa vështirësi.
“Unë nuk e favorizoj asnjë parti politike, por e shoh se ne shqiptarët kemi ngelur shumë mbrapa në çdo institucion. Duhet të ketë më shumë punësime, të jenë dy-tri punëtorë që procedurat të kryhen më shpejt”, shprehet banori.

Në fund, ai u bën thirrje institucioneve që të marrin masa dhe të mos i lënë qytetarët e Çairit të përballen me pritje të gjata dhe vështirësi për të marrë shërbimet që u takojnë./TS/

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume