13 nëntor 2026, Shkup – Propozimi i buxhetit për vitin 2027 orientohet në sigurimin e financave publike të qëndrueshme dhe të stabilizuara, vazhdimin e konsolidimit fiskal dhe përkrahjen e rritjes ekonomike, me fokus të qartë mbi investimet zhvillimore, përmbushjen e rregullt të detyrimeve ndaj qytetarëve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike.

Kjo u theksua para deputetëve në Komisionin për Financim dhe Buxhet në Kuvend, nga ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, duke arsyetuar Propozimin e buxhetit për vitin 2027.

Të ardhurat e përgjithshme të buxhetit për vitin 2027 janë planifikuar në 395.4 miliardë denarë, që paraqet rritje prej 5.7% krahasuar me vitin 2026, ndërsa shpenzimet e përgjithshme janë planifikuar në 440.4 miliardë denarë, përkatësisht rritje prej 4.8%. Deficiti buxhetor është projektuar në 45 miliardë denarë ose 3.5% të PBB-së, ndërsa për investimet kapitale janë paraparë 40.8 miliardë denarë.

“Përcaktimi ynë mbetet i qartë – konsolidim gradual fiskal, shpenzim racional dhe efikas i mjeteve publike, arkëtim më i mirë i të ardhurave dhe orientim i mjeteve drejt investimeve zhvillimore dhe produktive”, theksoi ministrja.

Rritja ekonomike në vitin 2027, sipas projeksioneve, pritet të jetë 3.8%. Nxitësi kryesor i rritjes do të jetë kërkesa e brendshme, para së gjithash përmes intensifikimit të aktivitetit investues. Investimet bruto projektohen të shënojnë rritje reale prej 6.8%, konsumi privat rritje prej 2.5%, ndërsa konsumi publik do të ketë rritje të moderuar prej 1.1%. Në sektorin e jashtëm, rritja e eksportit pritet të jetë 5.8%, ndërsa rritja e importit 5.2%. Sa u përket ecurive të çmimeve, për vitin 2027 parashikohet inflacion mesatar prej 3.2%. Ecuritë pozitive pritet të vazhdojnë edhe në tregun e punës, ku parashikohet rritje e numrit të të punësuarve prej 1.2%, ndërsa rritja e pagës mesatare neto pritet të jetë 6.7%.

Në anën e të ardhurave, të ardhurat e përgjithshme buxhetore janë planifikuar në 395.4 miliardë denarë. Të ardhurat tatimore janë projektuar në 223.1 miliardë denarë, që paraqet rritje prej 6.4% krahasuar me vitin 2026, ndërsa kontributet sociale janë planifikuar në 133.8 miliardë denarë. Të ardhurat jotatimore janë projektuar në 30.5 miliardë denarë, kurse donacionet në 5 miliardë denarë.

Në kuadër të të ardhurave tatimore, nga tatimi mbi të ardhurat personale priten 42 miliardë denarë, nga tatimi mbi fitimin 27.5 miliardë denarë dhe nga akcizat 31.9 miliardë denarë.

“Përcaktimi ynë është që përmes përmirësimit të arkëtimit, digjitalizimit të proceseve, përforcimit të kapaciteteve institucionale dhe uljes së ekonomisë joformale të krijojmë sistem më efikas, më të drejtë dhe më transparent të të ardhurave publike. Qëllimi është që të ardhurat e planifikuara të realizohen në baza reale dhe të qëndrueshme, pa krijuar barrë shtesë për qytetarët dhe ekonominë”, theksoi ministrja Dimitrieska-Koçoska.

Në anëm e shpenzimeve, shpenzimet e përgjithshme janë planifikuar në 440.4 miliardë denarë. Për pagat në sektorin publik janë projektuar rreth 57.2 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet për mallra dhe shërbime janë planifikuar në 27.8 miliardë denarë.

Për pagesën e pensioneve janë siguruar 123.8 miliardë denarë, duke përfshirë efektin e harmonizimit në përputhje me zgjidhjet ligjore. Për kompensimet e mbrojtjes sociale për kategoritë e shtresave në nevojë të qytetarëve janë planifikuar rreth 14.3 miliardë denarë, ndërsa për kompensimet financiare në rast papunësie janë planifikuar 1.5 miliardë denarë. Për politikat dhe masat aktive të punësimit janë siguruar 2.9 miliardë denarë, të destinuara për krijimin e vendeve të reja të punës dhe përkrahjen e punësimit të të rinjve, personave me aftësi të kufizuara dhe shfrytëzuesve të ndihmës minimale të garantuar.

Për mbrojtje shëndetësore, janë planifikuar 58.7 miliardë denarë që do të realizohen përmes Fondit të Sigurimit Shëndetësor, pjesa më e madhe e të cilave është e destinuar për financimin e shërbimeve të mbrojtjes shëndetësore dhe për përmbushjen e pandërprerë të detyrimeve ndaj institucioneve publike të mbrojtjes shëndetësore.

Vazhdon edhe përkrahja për njësitë e vetëqeverisjes lokale. Transfertat për komunat janë planifikuar në vlerë prej rreth 36 miliardë denarësh.

Investimet kapitale përbëjnë një nga prioritetet kryesore zhvillimore të buxhetit për vitin 2027. Për shpenzime kapitale janë planifikuar 40.8 miliardë denarë.

“Përcaktimi ynë është që këto mjete të destinohen drejt projekteve që krijojnë vlerë afatgjate, që përmirësojnë infrastrukturën dhe që kontribuojnë në ofrimin e shërbimeve publike më cilësore. Në këtë drejtim, nuk ka rëndësi vetëm vlera e mjeteve të planifikuara, por edhe realizimi i tyre. Fokusi ynë është te zbatimi në kohë i projekteve dhe arritja e rezultateve konkrete në terren”, deklaroi ministrja në ekspozenë e saj para deputetëve.

Gjatë vitit 2027 do të vazhdojë realizimi i projekteve të rëndësishme infrastrukturore përmes NPRRSH-së, që i referohen korridoreve 8 dhe 10d, ndërtimit të akseve të autostradës Kërçovë-Bukojçan, Kërçovë-Ohër dhe Shkup-Bllacë, përmirësimit të infrastrukturës rrugore lokale, si dhe modernizimit të infrastrukturës hekurudhore, përfshirë pjesën lindore të korridorit 8 dhe ndërtimin e vendkalimit të përbashkët kufitar hekurudhor në Tabanoc.

Në vitin 2027 do të fillojnë edhe aktivitetet e reja të rëndësishme investuese, ndër të cilat rinovimi i parkut të automjeteve për transportin e mallrave të Ndërmarrjes Publike “Hekurudhat – Transporti”, sigurimi i financimit shtesë për ndërtimin e sallave sportive, si dhe realizimi i projekteve për zhvillimin e infrastrukturës së arsimit të lartë në Universitetin “Shën Kirilli dhe Metodi”.

Në fushën e arsimit vazhdojnë investimet në rikonstruimin e konvikteve studentore, ndërtimin dhe rikonstruimin e shkollave dhe sallave sportive. Me rëndësi të veçantë janë edhe projektet për zhvillimin e infrastrukturës bazë digjitale të vendit, rritjen e efikasitetit energjetik në sektorin publik, modernizimin e bujqësisë, si dhe ndërtimin dhe rehabilitimin e sistemeve të ujitjes.

Vijojnë investimet në infrastrukturën energjetike dhe komunale, në ndërtimin e stacioneve të filtrimit dhe në sistemet e menaxhimit të ujërave të zeza, si dhe në projektet për burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe në modernizimin e sistemit energjetik. Në këtë drejtim vazhdon edhe realizimi i projektit për vendosjen e linjave të autobusëve të shpejtë në Shkup.

Deficiti buxhetor i vitit 2027 është planifikuar të jetë 45 miliarëd denarë, përkatësisht 3.5 të PBB-së, në përputhje me Strategjinë fiskale për periudhën 2027-2031.

Përcaktimi është vendosur në uljen graduale të deficit buxhetor dhe borxhit publik, përmes përmirësimit të pagesave dhe të të ardhurave, racionalizimit të shpenzimeve dhe rritjes së efikasitetit të investimeve publike.

Ajo theksoi se financimi i i deficitit buxhetor dhe pagesa e detyrimeve që maturojnë në vitin 2027 do të sigurohen në tregun vendor dhe atë ndërkombëtar. Gjithashtu, theksoi se vitin e ardhshëm, ndër të tjera, do të maturojë edhe euroobligacioni prej 500 milionë eurove i emetuar në vitin 2023.

“Nuk është e mjaftueshme të planifikojmë vetëm financa publike stabile – detyrimi ynë është që ato t’i shndërrojmë në rezultate të dukshme, investime zhvillimore dhe kushte më të mira jetese për qytetarët tanë” tha Dimitrieska-Koçoska.

Ministrja theksoi se Propozimi i buxhetit për vitin 2027 pasqyron nevojat zhvillimore dhe prioritet fiskale të shtetit, duke siguruar mjete për funksionimin e rregullt të institucioneve, duke përmbushur detyrimet kundrejt qytetarëve dhe përkrahjen në rritjen ekonomike, me përcaktim të qartë në shfrytëzimin efikas, transparent dhe të destinuar të mjeteve publike.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume