Një tragjedi ka ndodhur në Itali në detin Adriatik, ku për pasojë vdes Vehap Deari, nga Dëbërca e Tetovës. Ai ishte i moshës 47-vjeçare dhe ka humbur jetën gjatë punës në platformën detare Brenda, në detin Adriatik, përballë qytetit të Pesaro-s në Itali.

Ngjarja tragjike ka ndodhur në rrethana që ende nuk janë sqaruar plotësisht. Deari jetonte prej kohësh në Ravenna të Italisë dhe ishte i punësuar në kompaninë Donelli, citon TS mediat Italiane “ravennatoday.it”.

Pas vdekjes së tij, sindikata Fiom-Cgil në Ravenna ka reaguar ashpër, duke kërkuar hetim të plotë për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve që çuan në këtë tragjedi.

Sekretari i përgjithshëm i sindikatës, Andrea Mingozzi, ka deklaruar se edhe në rast se punëtori ka pësuar një problem të papritur shëndetësor, ai nuk duhej të përfundonte në ujë, duke ngritur pikëpyetje mbi zbatimin e protokolleve të sigurisë në platformë.

Sipas sindikatës, Deari është nxjerrë nga uji falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe guximtare të një kolegu, i cili është hedhur në det për ta shpëtuar.

Në shenjë proteste dhe solidariteti me familjen e viktimës, Fiom-Cgil ka shpallur dy orë grevë në sektorin metalurgjik për të martën, më 17 nëntor, gjatë dy orëve të fundit të çdo ndërrimi të punës.

Sindikata kërkon që hetimet të sqarojnë jo vetëm dinamikën e ngjarjes, por edhe nëse janë respektuar të gjitha masat dhe procedurat e sigurisë për punëtorët në platformën detare.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume