Shtëpia e ankandeve “Sotheby’s” bën të ditur se po punon për të zgjidhur një mosmarrëveshje lidhur me shitjen e planifikuar të një pikture nga Vincent van Gogh.

Vepra “Châtaigniers en Fleurs”, e vlerësuar në 180 milionë dollarë, pritet të dalë në ankand në Nju Jork të mërkurën.

Megjithatë, përfaqësues të trashëgimtarëve të familjes Fischer, pronarët e mëparshëm gjermanë të veprës, pretendojnë se ajo mund të jetë shitur nën presion gjatë ngjitjes së nazistëve në pushtet.

“Sotheby’s” deklaron se “hulumtimet e gjera” të kryera prej saj nuk e kanë vërtetuar një gjë të tillë, por shton se do të bashkëpunojë me familjen për të gjetur një zgjidhje, raporton BBC.

“Sotheby’s i trajton me seriozitet të madh çështjet që lidhen me historikun e pronësisë dhe kthimin e veprave të artit; ne kemi kryer kërkime të thelluara mbi historikun e pronësisë së ‘Châtaigniers en fleurs'”, thuhet në një deklaratë të “Sotheby’s” për BBC-në. “Jemi në dijeni të shqetësimeve të ngritura së fundmi nga përfaqësues të trashëgimtarëve të Fischer-it dhe kemi qenë në dialog me ta lidhur me historikun e pikturës.

“Ndonëse hulumtimet tona deri më tani nuk kanë vërtetuar se piktura është shitur nën presion, ne e njohim rëndësinë e një qasjeje të kujdesshme dhe konstruktive ndaj familjes, dhe jemi të përkushtuar për të gjetur një zgjidhje që të jetë e kënaqshme për të dyja palët.”

Piktura, titulli i së cilës përkthehet si “Gështenja në lulëzim”, po shitet si pjesë e një koleksioni të quajtur “Koleksioni Blaquier-Arrieta”.

Faqja e internetit e “Sotheby’s” jep detaje mbi prejardhjen e kësaj pikture në vaj, duke përshkruar hulumtimin e bërë mbi kalimin e veprës nga një pronar te tjetri që nga viti 1890.

Aty thuhet se Samuel Fischer, një botues i njohur gjerman, e bleu veprën në vitin 1909, dhe pas vdekjes së tij në vitin 1934, ajo mbeti në pronësi të familjes së tij.

Sipas “Sotheby’s”, piktura iu besua Paul Cassirer-it në Amsterdam në vitin 1932 ose 1933, ndërsa në vitin 1936 kaloi te Henriette dhe Marcel Kapferer në Paris.

Më pas, ajo ka pasur edhe katër pronarë të tjerë, përpara se të nxirrej në ankand këtë vit.

Trashëgimtarët e familjes Fischer kanë angazhuar një avokat, i cili, sipas “New York Times”, i ka dërguar një letër shtëpisë së ankandeve “Sotheby’s”.

Thuhet se ai e ka informuar shtëpinë e ankandeve se piktura ishte shitur në Amsterdam para Luftës së Dytë Botërore, për shkak të humbjeve financiare që kompania botuese e familjes Fischer pësoi nën regjimin nazist.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume