Gjykatësi kushtetues Osman Kadriu ka kundërshtuar idenë për të kërkuar një mendim urgjent nga Komisioni i Venecias lidhur me modelin e propozuar për dhënien e provimit të jurisprudencës, duke e cilësuar këtë veprim si të paarsyeshëm dhe si përpjekje për të fituar kohë.

Duke folur sonte në emisionin “Debat në SHENJA”, Kadriu argumentoi se provimi i jurisprudencës është pjesë e ciklit të studimeve në fakultetet juridike dhe se, nëse ligjërimi dhe provimet në fakultet zhvillohen në gjuhën shqipe, nuk ka arsye që të kontestohet përdorimi i saj në provimin e jurisprudencës.

Ai gjithashtu vlerësoi se Komisioni i Venecias jep mendime kryesisht për çështje që lidhen me ligje sistemore dhe organike, duke përmendur si shembuj Kodin Penal dhe Ligjin për Procedurën Penale.

“Provimi i jurisprudencës është një prej provimeve në korpusin e ciklit të lëndëve, në listën e lëndëve që i ka fakulteti juridik. Si mundet të gjitha lëndë garantohen, ligjerohen dhe jepen në gjuhën shqipe, ndërsa në fund kontestohet përdorimi i gjuhës shqipe, në provimin e jurispudencës. Nën 2. Ajo që kërkohet mendim nga Komisioni i Venecias, është e paarsyeshme, e pakuptueshme, e paqëndrueshme. Komisioni i Venecias i shqyrton vetëm ligjet sistemorë, organikë. Nëse shteti kërkon mendim prej tyre, siç është ligji për kodin penal, ligji për procedurën penale. Është blerje kohe. Unë përdori një fjali sado që të jetë vullgar. Me këtë na “shesin dushk për gogla”, u shpreh Kadriu.