Lëvizja Studentore shpreh shqetësimin e thellë për presionin dhe represionin institucional që po
tentohet të ushtrohet ndaj studentëve dhe organizatave tona.
Gjatë kalimit në pikën kufitare Bllacë, në kufirin me Kosovën, është ndaluar kryetari i Parlamentit
Studentor, Besar Sejdiu, i cili po udhëtonte së bashku me studentë të tjerë për të marrë pjesë në
aktivitete në Itali.
Pa asnjë arsye të qartë, Besar Sejdiu është veçuar nga grupi i studentëve dhe është shoqëruar nga
zyrtarët kufitarë në ambientet e brendshme të pikës kufitare. Arsyetimi i dhënë ka qenë i pabazë dhe
fyes, ndërsa mënyra e trajtimit të tij përbën një përpjekje të papranueshme për ta intimiduar dhe për
t’i ushtruar presion. Ai është njoftuar se institucionet e Maqedonisë së Veriut e kanë vendosur në një
listë për kontroll të veçantë, pa iu dhënë asnjë shpjegim se përse është vendosur në atë listë dhe mbi
çfarë baze është ndërmarrë një veprim i tillë.
Për ne, ky veprim ngre dyshime serioze për presion të qëllimshëm institucional ndaj përfaqësuesve
studentorë dhe përpjekje për t’i frikësuar e zbrapsur studentët nga kërkesat e tyre legjitime. Veçimi
dhe shoqërimi i një përfaqësuesi studentor në ambientet e brendshme të policisë kufitare, pa një
arsyetim të qartë, nuk mund të kalohet në heshtje.
Kërkojmë nga institucionet përgjegjëse të sqarojnë publikisht mbi çfarë baze është vendosur Besar
Sejdiu në këtë listë, kush e ka marrë këtë vendim dhe për çfarë arsye. Kush ka dhënë urdhër që një
përfaqësues studentor të veçohet dhe të trajtohet në këtë mënyrë?
Nëse dikush mendon se me ndalesa në kufi, presione dhe metoda frikësimi do ta heshtë zërin e
studentëve, gabon rëndë. Ne do të vazhdojmë edhe më fuqishëm, edhe më të organizuar dhe edhe
më të vendosur në kërkesat tona.
Këto përpjekje për të na frikësuar janë të destinuara të dështojnë.
Zëri i studentëve nuk do të ndalet. Nga kërkesat tona nuk do të heqim dorë!

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume