Garda Revolucionare Islamike e Iranit tha se sistemi i radarit që sulmoi ndodhej në bazën Sheikh Isa në Bahrein, shtetin arab të Gjirit ku është vendosur Flota e Pestë e SHBA-së.
Bahreini tha se kishte ndërprerë sulmin, pasi kishte lëshuar një alarm për sulm ajror dhe u kishte bërë thirrje qytetarëve të strehoheshin. Nuk pati raportime për viktima apo dëme.
Bahreini kishte ndërprerë edhe disa sulme ajrore iraniane të dielën, gjatë të cilave Teherani tha se kishte shënjestruar një sistem radari amerikan në bazën e helikopterëve Al-Rifaa, pas asaj që i cilësoi si veprime armiqësore të SHBA-së.
Lufta ka arritur në një ngërç, ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se mund të përmbahet nga sulmet ndaj Iranit, nëse SHBA-ja nuk përballet me atë që ai i përshkroi si provokime nga Teherani ose nga grupi Huthi, i mbështetur nga Irani, në Jemen.
Megjithatë, Trumpi ka thënë se do ta mbajë në fuqi bllokadën detare amerikane ndaj Iranit, si përgjigje ndaj pengimit të vazhdueshëm të lundrimit në Ngushticën e Hormuzit nga Teherani, një rrugë jetike për furnizimet globale me energji dhe tregtinë tjetër.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, po qëndronte të martën për vizitë në Oman, i cili ndodhet në anën e kundërt të Ngushticës së Hormuzit nga Irani dhe ka ndërmjetësuar në konfliktin që nisi me sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt.
Araqchi diskutoi me ministrin e Jashtëm të Omanit, Badr Albusaidi, mbrojtjen e korridoreve detare dhe sigurimin e qarkullimit të pandërprerë të transportit detar dhe tregtisë globale, njoftoi Ministria e Jashtme e Omanit. Të dy diskutuan gjithashtu për rigjallërimin e kanaleve të dialogut dhe negociatave, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit.
“Këto përpjekje synojnë zgjerimin e fushave të mirëkuptimit të ndërsjellë mes palëve të përfshira dhe parandalimin e zgjerimit të krizës dhe pasojave të saj”, thuhet në një deklaratë të ministrisë.
RRITEN SULMET NDAJ NAFTËMBARTËSEVE
Javën e kaluar, Irani sulmoi sistemet e navigimit të anijeve në ishullin Didamar të Omanit, i cili ndodhet në ngushticë. Eksportuesit e Gjirit po përdorin gjithnjë e më shumë rrugë alternative për të rritur sasinë e naftës që transportohet përmes Hormuzit.
Sulmet ndaj naftëmbartëseve janë shtuar në këtë rrugë ujore, përmes së cilës para luftës kalonte rreth një e pesta e furnizimeve globale me energji dhe e cila përbën një pikë mosmarrëveshjeje në negociatat për përfundimin e konfliktit.
Omani dhe Irani kanë zhvilluar më parë bisedime herë pas here për kontrollin e trafikut detar në ngushticë, për herë të fundit në gusht. Para luftës, anijet kalonin lirshëm nëpër ngushticë, e cila shtrihet në ujërat territoriale të të dy vendeve, por përgjithësisht konsiderohet rrugë ujore ndërkombëtare.
Ndërprerja e transportit detar ka kërcënuar furnizimet me naftë dhe ka shkaktuar probleme në ekonominë globale.
Lufta vazhdon të përhapet edhe në pjesë të tjera të Lindjes së Mesme, ndërsa Irani ushtron presion ndaj Uashingtonit përmes aleatëve të tij Huthi, të cilët kanë kryer sulme ndaj Arabisë Saudite dhe kanë marrë nën kontroll zona përgjatë bregdetit jemenas, në Ngushticën Bab el-Mandeb, me shpresën për t’i vënë në vështirësi prodhuesit e naftës në Gjirin Persik.
REPRESIONI NË BAHREIN
Sulmi i së martës ndaj Bahreinit pasoi dënimin e 64 personave atje, kryesisht klerikë shiitë, me burgim të përjetshëm, nën akuzat për bashkëpunim me Iranin për të minuar shtetin.
Bahreini, një vend me shumicë shiite që drejtohet nga një familje myslimane sunite, ka nisur një fushatë represioni ndaj klerikëve shiitë që kur Teherani filloi ta sulmonte këtë vend këtë vit, pas sulmeve amerikano-izraelite, por prej kohësh ka qenë i shqetësuar për ndikimin iranian.
Në mesin e personave të dënuar me burgim të përjetshëm ishte edhe Sheikh Isa Qassim, i cili konsiderohet gjerësisht si udhëheqësi shpirtëror i komunitetit shiit të Bahreinit dhe që jeton në Iran që nga viti 2018, sipas Institutit të Bahreinit për të Drejtat dhe Demokracinë.
Ministria e Jashtme e Iranit e dënoi të martën vendimin e gjykatës dhe tha se akuzat ishin të pabazuara. Teherani ka mohuar prej kohësh ndërhyrjen në punët e brendshme të Bahreinit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dënoi sulmet iraniane në Bahrein gjatë një bisede telefonike të hënën me ministrin e Jashtëm të Bahreinit.