Qeveria mbetet e vendosur për kufizimin e lojërave të fatit dhe ka ndërmarrë masa konkrete ligjore për zvogëlimin e mundësive për organizimin e tyre, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski informon Tetovasot.

Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së Levicës, Jovana Mojsoska, lidhur me funksionimin e Lotarisë Shtetërore dhe kërkesat për shkarkimin e drejtorit Aleksandar Klimovski, si dhe për mbylljen e platformës online të lojërave të fatit “Megavin”, Nikolloski tha se ndryshimet ligjore sjellin kufizime më të mëdha.

Sipas tij, me ndryshimet në Ligjin për lojërat e fatit vendosen rregulla më të rrepta për reklamimin, lokacionet ku mund të organizohen lojërat e fatit, si dhe rriten ndjeshëm detyrimet financiare për organizatorët.

“Zbatimi praktik i ndryshimeve ligjore fillon më 1 janar. Nga atëherë, i vetmi subjekt që do të mund të organizojë lojëra online të fatit do të jetë shteti përmes Lotarisë Shtetërore. E njëjta do të vlejë edhe për terminalet videolotarike (VLT), ku shteti do të jetë organizatori i vetëm përmes një subjekti”, deklaroi Nikolloski.

Ai theksoi se pas formimit të qeverisë aktuale janë hequr licencat e tre kompanive që lidhen me organizimin e lojërave online të fatit, si dhe platformës “TuVin”, e cila, sipas tij, ishte pjesë e “Casino Austria” dhe sistemit të terminaleve VLT.

Nikolloski tha se për këtë çështje janë duke u zhvilluar edhe procedura gjyqësore.

“Është në zhvillim një procedurë aktive gjyqësore kundër Artan Grubit, Perparim Bajramit dhe të akuzuarve të tjerë. Pres që gjykata ta përfundojë këtë proces në mënyrë efikase dhe përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre”, deklaroi ai.

Ministri theksoi se sektori i lojërave të fatit kërkon kontroll të rreptë shtetëror për të parandaluar organizimin ilegal dhe përqendrimin e tregut.

Ai u bëri thirrje institucioneve kompetente, përfshirë Prokurorinë, Policinë Financiare dhe Inteligjencën Financiare, që të verifikojnë të gjitha pretendimet që dalin në opinion dhe që lidhen me këtë fushë.

Ndërkohë, deputetja Jovana Mojsoska akuzoi se Qeveria nuk e ka realizuar premtimin për mbylljen e platformës “Megavin”, duke ngritur dyshime për marrëveshje të caktuara që lidhen me Lotarinë Shtetërore dhe kompaninë bullgare “MDD Soft”.TS

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume