Në një martesë, keqkuptimet janë të pashmangshme, sidomos kur partnerët kanë karaktere dhe mënyra të ndryshme komunikimi.

Shpesh, gratë e interpretojnë heshtjen e burrave si ftohje emocionale, ndërsa për ta mund të jetë thjesht një mënyrë për të përballuar stresin dhe lodhjen.

Ja shtatë arsye që do të dëshironin që bashkëshortet e tyre t’i kuptonin.

1. Ndihen të sigurt pranë tyre, por nuk dinë si t’i shprehin ndjenjat

Disa burra nuk arrijnë të gjejnë fjalët e duhura për të shpjeguar atë që ndiejnë. Kjo lidhet edhe me mënyrën si janë rritur, duke mësuar se shprehja e emocioneve është shenjë dobësie.

Sipas terapistit familjar Assael Romanelli, djemtë lindin po aq të ndjeshëm sa vajzat, por gjatë rritjes shpesh mësohen t’i shtypin emocionet.

2. Kanë nevojë për hapësirë për të rifituar energji

Sidomos burrat më introvertë kanë nevojë për pak kohë vetëm pas një dite të lodhshme.

Kjo nuk do të thotë se po largohen nga bashkëshortja. Thjesht kanë nevojë për qetësi për të mbledhur mendimet dhe për t’u rikthyer në komunikim kur të ndihen më mirë.

3. Përpiqen t’i zgjidhin problemet vetë, që të mos bëhen barrë
Shumë burra janë rritur me idenë se duhet të jenë të fortë, të pavarur dhe të kujdesen për familjen pa shfaqur vështirësitë e tyre.

Për këtë arsye, edhe kur kanë nevojë për ndihmë, mund të zgjedhin të heshtin dhe të përpiqen t’i zgjidhin problemet vetë.

4. Kanë frikë se si do t’i shohë partnerja
Disa burra druhen se nëse tregojnë pasiguritë dhe dobësitë e tyre, bashkëshortet do t’i shohin ndryshe.

Kanë frikë se mund të humbasin respektin e partneres, ndaj zgjedhin të mos flasin. Ironikisht, kjo heshtje shpesh krijon më shumë distancë sesa një bisedë e sinqertë.

5. Ende po përpiqen të heqin dorë nga zakonet e vjetra emocionale
Burrat që kanë kaluar fëmijëri të vështirë ose trauma mund ta kenë mësuar që në moshë të vogël të izolohen kur përballen me probleme.

Kjo sjellje mund të vazhdojë edhe në martesë. Edhe kur dëshirojnë të komunikojnë, nuk e kanë të lehtë të ndryshojnë një mënyrë reagimi që e kanë përdorur prej vitesh.

6. Besojnë se po mbrojnë partneren nga problemet e tyre
Shumë burra ndihen përgjegjës për të mbrojtur familjen, jo vetëm fizikisht, por edhe emocionalisht.

Për këtë arsye, mund të fshehin shqetësimet, turpin apo frikën, duke menduar se kështu nuk ia rëndojnë jetën bashkëshortes.

Megjithatë, psikologu Loren Soeiro shpjegon se kjo sjellje shpesh bën që partnerja të ndihet e përjashtuar, e vetmuar ose e shpërfillur.

7. Janë lodhur nga reagimet e partneres dhe ndihen të pavlerësuar
Në disa marrëdhënie, burrat mbyllen në vetvete sepse ndihen të gjykuar ose të pavlerësuar kur përpiqen të shprehin emocionet e tyre.

Në vend që të flasin për problemet, përgjigjen me fraza si “Jam mirë” ose “Mos u shqetëso”.

Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se nuk kanë nevojë për mbështetje, por se nuk duan të ndihen të dobët apo të keqkuptuar.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume