Drejtori për Zgjerim në KE: Maqedonia e Veriut është e bllokuar sepse nuk dëshiron të bëjë atë që di se duhet të bëhet
„Absolutisht“, përgjigjet Gert Jan Kopman në pyetjen nëse topi është te Shkupi. Sipas tij, nëse ka përparim në negociata, Maqedonia e Veriut dhe Serbia mund të marrin hartat rrugore nga Komisioni Evropian edhe vitin e ardhshëm.
„Bllokada nuk është në Këshillin e BE-së. Bllokada është në vend“, deklaroi drejtori i përgjithshëm për zgjerim dhe fqinjësi lindore në Komisionin Evropian, Gert Jan Kopman, duke u përgjigjur pyetjes se çfarë mund të bëjë Brukseli që Maqedonia e Veriut të hapë grupin e parë në negociatat e anëtarësimit.
Në intervistën për „Balkans Debrief“ të Këshillit Atlantik, gazetarja Ilva Tare e pyeti Kopmanin nëse ka shpresë të kapërcehet bllokada në Këshillin e BE-së, duke pasur parasysh se kanë kaluar 17 vjet nga rekomandimi i parë i Komisionit Evropian për hapjen e negociatave me këtë vend. Pasi Kopman kontestoi konstatimin se bllokada është në Këshillin e BE-së, Tare sqaroi se kishte menduar për veto-n bullgare.
„Kjo nuk është vetëm çështje bullgare. Ky është qëndrim i BE-së. Është pjesë e konkluzioneve të Këshillit“, u përgjigj Kopman.
Ai kujtoi se vendi duhet të miratojë edhe harta rrugore dhe plan veprimi për pakicat, për të cilat vlerësoi se janë në fazë të avancuar të përgatitjes.
„Por, pa ndryshimin kushtetues, procesi thjesht nuk do të shkojë përpara. Kjo varet vërtet nga vetë vendi“, tha ai.
Kopman theksoi se me zbatimin e më shumë reformave të vështira në kuadër të Planit për Rritje këtë vit, Maqedonia e Veriut ka treguar se ka kapacitet për reforma. Është i vetëdijshëm, tha, se vendi ka një rrugë të gjatë evropiane në të cilën është përballur me shumë çështje dypalëshe, por mendon se është e rëndësishme të thuhet saktësisht pse negociatat tani qëndrojnë.
„Nuk e bllokon një vend anëtar. Është e bllokuar sepse deri tani nuk dëshiron të bëjë atë që di se duhet të bëhet“, deklaroi Kopman.
„Pra, konfirmoni se topi është te Shkupi“, pyeti Tare.
„Absolutisht“, u përgjigj Kopman.
Në pyetjen shtesë nëse aktualisht po zhvillohen negociata për të gjetur një zgjidhje, ai tha se Komisioni Evropian flet me të gjithë.
„Kjo është zgjedhje politike. Bëhet fjalë për një vend sovran. Askush nuk mund ta detyrojë, as nuk dëshiron ta detyrojë vendin të bëjë diçka për të cilën nuk është i gatshëm“, tha Kopman.
Në pjesën e intervistës kushtuar Serbisë, Kopman u ndal edhe te mundësia që të dyja vendet në paketën e zgjerimit për vitin 2027 të marrin harta rrugore indikative, të tilla siç morën këtë vit Mali i Zi, Shqipëria, Moldova dhe Ukraina. Kushti për këtë, tha, është përparimi në vetë negociatat.
„Këtë vit nuk ka pasur përparim në negociata as me Serbinë as me Maqedoninë e Veriut. Por viti i ardhshëm mund të jetë krejt ndryshe. Është plotësisht e mundur që të dyja vendet të marrin harta rrugore. Të dyja kanë kapacitet të fortë administrativ për të përparuar shpejt nëse e duan këtë“, vlerësoi Kopman.