Ministria e arsimit dhe shkencës po punon në reforma në të gjitha segmentet e arsimit Të
rinjtë duhet të përvetësojnë njohuri cilësore dhe të zbatueshme, por po aq e rëndësishme është
që të zhvillojnë kreativitetin, inovacionin dhe të menduarit kritik, si dhe empatinë, parimet
etike dhe kompetencat sociale, në mënyrë që të jenë të përgatitur për punë dhe jetë në kushtet
e ndryshimeve të shpejta teknologjike dhe sfidave komplekse globale.
Këtë e theksoi ministrja e arsimit dhe shkencës, Vesna Janevska, duke iu drejtuar të
pranishmëve në Samitin Rajonal FjuçerEks 2026, duke shtuar se për botën e së nesërmes, e
cila do të jetë ndryshe nga ajo e sotmja, është i domosdoshëm një sistem arsimor funksional
që krijon dije dhe kompetenca.
„Vizioni ynë për një arsim të hapur ndaj së ardhmes fillon nga shkollat fillore. Po vendosim
mësimin me një ndërrim dhe mësimin gjatë gjithë ditës, me qëllim që fëmijët të kenë më
shumë kohë për hulumtime dhe aktivitete praktike. Nxënësit e sotëm të shkollave fillore janë
ata që në dekadat e ardhshme do të marrin vendime profesionale, ekonomike, shkencore dhe
shoqërore. Për t'i përgatitur ata, që në moshë të hershme duhet të zhvillojnë aftësi për të
parashtruar pyetje, për të ndërlidhur informacione dhe për të identifikuar zgjidhje të
ndryshme të mundshme. Gjatë kohës shtesë në shkollë, përmes aktiviteteve hulumtuese,
projektuese, praktike, sportive dhe kreative, nxënësit do të mund të eksperimentojnë, të
punojnë në ekipe, të zgjidhin probleme dhe t'i zbatojnë idetë e tyre në praktikë“, tha ministrja
Janevska.
Në arsimin e mesëm profesional, veçanërisht përmes modelit dual, njohuritë teorike
ndërlidhen me mjedisin real të punës. Partneriteti ndërmjet shkollave, punëdhënësve dhe
vetëqeverisjeve lokale mundëson harmonizimin e shpejtë të programeve mësimore me
kërkesat e kompanive për kuadro profesionale dhe të trajnuara, por edhe me sfidat e
tranzicionit të gjelbër dhe digjital.
Janevska theksoi se nga ky vit shkollor, mbi 10.800 nxënës të vitit të parë të arsimit të mesëm
profesional vijojnë mësimin sipas programeve mësimore të modernizuara, të cilat përfshijnë
kompetencat STEM, shkathtësitë e gjelbra dhe digjitale në të gjitha profilet profesionale.
Trajnim kanë ndjekur 569 mësimdhënës, ndërsa është forcuar edhe bashkëpunimi me sektorin
privat.
Arsimi i mesëm profesional është një model i suksesshëm arsimor që zhvillon te nxënësit
shkathtësi praktike dhe të transferueshme, të cilat u mundësojnë përshtatje më të lehtë ndaj
teknologjive të reja. Parashikohet që ky model të vazhdojë edhe në arsimin e lartë, përmes
integrimit të mësimdhënies akademike me trajnimin praktik në kompani.

„Në këtë mënyrë, studentët fitojnë mundësinë të përvetësojnë njohuri dhe shkathtësi
profesionale, të cilat i vënë në provë, i përsosin dhe i thellojnë në kushte reale pune.
Paralelisht me këtë, krijojmë kushte që universitetet dhe studentët të bëhen pjesëmarrës
aktivë në Hapësirën Evropiane të Kërkimit dhe Inovacionit, përmes forcimit të veprimtarisë
kërkimore-shkencore, pjesëmarrjes në programet evropiane dhe partneriteteve akademike
ndërkombëtare, si dhe përmes bashkëpunimit ndërmjet universiteteve, institucioneve
shkencore dhe sektorit të biznesit. Kjo është thelbësore për ndërtimin e një shoqërie të
përgatitur për të ardhmen“, sqaroi ministrja Janevska.
Me qëllim që punonjësit të fitojnë njohuri dhe shkathtësi të reja për të mbetur konkurrues në
tregun e punës, po ndërtojmë një sistem të të mësuarit gjatë gjithë jetës, i cili, siç theksoi
Janevska, mundëson trajnime, përsosje profesionale dhe rikualifikim, si përgjigje ndaj
ndryshimeve në profesione dhe procese pune.
Samiti FjuçerEks 2026 organizohet nga Instituti i studimeve të komunikimit, duke
përmbyllur programin arsimor për shkrim-lexim për të ardhmen, i zhvilluar në kuadër të
projektit FjuçerLit, i mbështetur përmes programit Erasmus+.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume