Presidenti i SHBA-së, Donald Trump vuri në dyshim ndihmën e vazhdueshme ushtarake të vendeve evropiane për Ukrainën gjatë një telefonate të papritur të enjten, duke argumentuar se “Rusia është serioze në negocimin e paqes”, raportoi “Politico”, transmeton Anadolu.
Trump iu bashkua një takimi të aleatëve evropianë të Ukrainës në Berlin me telefon nga “Air Force One”, disa orë pas takimit me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin kinez Xi Jinping në Shenzhen të Kinës, sipas “Politico”-s, e cila citon zyrtarët evropianë të informuar për bisedën.
Gjatë telefonatës, thuhet se Trump shprehu skepticizëm rreth miliarda dollarëve në ndihmë ushtarake të ofruara për Kievin nga “Koalicioni i të Vullnetshmëve”, një grup vendesh që mbështesin Ukrainën. Një person i informuar mbi diskutimin tha se Trumpi vuri në dukje humbjen e madhe të jetëve dhe argumentoi se vendet po shpenzojnë para për një luftë që duhej të përfundojë.
Sipas raportit, presidenti u tha udhëheqësve evropianë se Putini ishte serioz në negociata dhe i gatshëm për të arritur marrëveshje paqeje me Ukrainën.
– Zyrtarët amerikanë hedhin poshtë pretendimet për presion për të ndaluar financimin
Megjithatë, një zyrtar amerikan kundërshtoi sugjerimet se Trumpi ka udhëzuar vendet evropiane që të ndalojnë financimin e Ukrainës. Zyrtari tha se raportime të tilla janë të pasakta, duke theksuar se Trumpi “dëshiron t‘i japë fund këtij konflikti”.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë e përshkroi Trumpin si optimist gjatë bisedës, duke thënë se presidenti theksoi kostot njerëzore dhe financiare të luftës.
“Presidenti theksoi se lufta është jashtëzakonisht e kushtueshme për sa i përket jetës njerëzore dhe financimit dhe të gjithë duhet të përpiqen për paqen sepse kjo do të shpëtojë jetë dhe para që mund të investohen në mbrojtjen dhe prosperitetin e vendeve tona”, tha zyrtari.