Qeveria e Mianmarit e mbështetur nga ushtria, hodhi poshtë sot vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), i cili e shpall vendin përgjegjës për gjenocidin ndaj myslimanëve Rohingya, duke e cilësuar atë si “jo të drejtë” dhe “jo unanim”, transmeton Anadolu.

Khaing Khaing Soe, zëdhënëse e presidentit Min Aung Hlaing, tha se qeverisë do t’i nevojitej kohë për ta shqyrtuar vendimin, sipas medias “Myanmar Now”.

“Jo të 15 gjyqtarët ranë dakord. Nëntë prej tyre e mbështetën këtë vendim ndërsa gjashtë nuk u pajtuan. Pra, ky nuk është një vendim unanim. Do të thoja se nuk është i drejtë”, tha ajo.

Në përgjigjen e saj ndaj vendimit, Soe iu referua qëndrimeve të presidentit amerikan Donald Trump, presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit rus Vladimir Putin lidhur me institucionet gjyqësore ndërkombëtare.

– Gjykata urdhëron dëmshpërblimin e viktimave Rohingya

Të enjten, GJND-ja vendosi se Mianmari kishte kryer gjenocid ndaj myslimanëve rohingya gjatë operacioneve ushtarake të vitit 2017 në veri të shtetit Rakhine. Gjykata urdhëroi Mianmarin të dëmshpërblejë viktimat dhe të marrë masa për të parandaluar shkelje të mëtejshme.

Çështja u ngrit në vitin 2019 nga Gambia, një vend i Afrikës Perëndimore. Vendimi u cilësua si historik, pasi për herë të parë një shtet u shpall drejtpërdrejt përgjegjës për kryerjen e gjenocidit.

Ai u mirëprit gjerësisht edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Min Aung Hlaing ishte komandant i ushtrisë së Mianmarit, e njohur në vend si Tatmadaw, kur ajo nisi fushatën kundër myslimanëve rohingya në veri të shtetit Rakhine në vitin 2017.

Operacionet ushtarake shkaktuan vdekjen e mijëra Rohingyave dhe detyruan më shumë se 1 milion njerëz të largoheshin drejt Bangladeshit fqinj.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume