Moderatorja Grida Duma ka ndarë një rrëfim ndryshe në emisionin “Goca dhe Gra”, ku ka folur për anën e saj emocionale, jetën larg kamerave dhe çmimin që sipas saj ka paguar për imazhin e një gruaje gjithmonë të fortë.
E pyetur nga Ema Andrea se cila është pika e saj e dobët, Duma u përgjigj se ajo është njëkohësisht edhe pika e saj më e fortë. Moderatorja pranoi se është mësuar të përballojë gjithçka me forcë por kjo mënyrë të jetuari ka krijuar distancë me njerëzit dhe ka bërë që të tjerët të mos e kuptojnë kur ajo vuan.
“Dobësia ime është forca ime. Nuk ka nevojë të jem kaq e fortë sa jam. Të jesh gjithnjë e fortë largon njerëz nga vetja. Më mungon empatia e të tjerëve, më mungon fakti që nuk ma kupton asnjëherë askush që vuaj”, u shpreh Duma gjatë bisedës në studio.
Biseda u zhvendos më pas te vetmia dhe kostoja personale e kësaj force. E pyetur nga Ema Andrea nëse e kishte paguar lirinë me vetmi, Duma u përgjigj pa hezitim: “Absolutisht po”.
Ajo tregoi se shpesh nuk ndikohet nga vëmendja apo komentet publike, pasi, siç tha, e ka paguar tashmë koston e të qenit vetvetja. Megjithatë, pranoi se do të dëshironte të ishte më e butë me veten dhe të mos ndihej e detyruar të ishte gjithmonë e fortë.
“Pika ime e fortë është pika ime e dobët. Sikur të isha një çikë më e dobët, mund të kisha një çikë më shumë dashuri me veten time”, tha ajo.
Gjatë diskutimit, Ori Nebiaj e pyeti nëse kjo ishte një zgjedhje e vetëdijshme, ndërsa Duma shpjegoi se bëhet fjalë për një rrugë që, pasi nis, vazhdon dhe është e vështirë të kthehesh pas. Sipas saj, njerëzit mësohen të të shohin në një mënyrë të caktuar dhe me kalimin e kohës është më e lehtë të ndryshosh veten sesa perceptimin që të tjerët kanë krijuar për ty.
Në një tjetër moment, Ema Andrea vuri në dukje se shoqëria shpesh nuk e pranon dobësinë e një personi që është mësuar ta shohë gjithmonë të fortë. Për këtë, Duma tha se pikërisht atëherë ndihet më e vetmuar.
Ajo zbuloi se këto ndjesi i përjeton edhe në përditshmëri, madje kishte ndodhur edhe një javë më parë. Grida shpjegoi se është mësuar të funksionojë përmes detyrimeve dhe përgjegjësive, duke ndjekur vazhdimisht atë që duhet të bëjë por ende nuk ka arritur të gjejë hapësirën për të ndjekur vetëm dëshirat e saj.
“Duhet dhe dua gjithë kohën, mund të jetë edhe vetëm dua, pa duhet. Dhe këtë gjë unë nuk e kam takuar akoma në jetën time”, u shpreh Grida Duma, duke dhënë një nga përgjigjet më personale të intervistës.