“Për mua është një nder i madh që miku dhe kolegu im i dashur, kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, është sot këtu me mua.

Dëshiroj që në fillim të këtij aktiviteti të rëndësishëm për të dyja vendet, bashkëqytetarëve tanë shqiptarë, por edhe shqiptarëve në përgjithësi, t’ua uroj Ditën e Alfabetit Shqiptar – një ditë e cila për një shtet multietnik siç është vendi ynë ka shumë rëndësi dhe i shton vlerë kohezionit që kemi në shoqërinë tonë. Gëzuar festën dhe qoftë e mbushur me shumë suksese dhe të mira!

Tani dëshiroj të them disa fjalë për aktivitetin e sotëm. Për ne është kënaqësi që mund të fillojmë këtë formë bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve, Shqipërisë dhe Maqedonisë, pasi sistemi “One Stop Shop” do ta lehtësojë transportin e udhëtarëve. Siç e dëgjuat, disa milionë njerëz kalojnë çdo vit në këtë pikë kufitare dhe kjo do t’i afrojë edhe më shumë dy vendet tona, të cilat tashmë janë të afërta.

Pres që kjo mënyrë bashkëpunimi të vazhdojë edhe në pikat e tjera kufitare që kemi me fqinjin tonë perëndimor, Shqipërinë, dhe në këtë mënyrë të forcojmë edhe më shumë lidhjet ndërmjet qytetarëve në të dyja anët e kufirit.

Gjithashtu, siç u tha edhe gjatë prezantimit hyrës se si do të funksionojë i gjithë ky proces, sistemi “One Stop Shop” do të sjellë përfitime edhe në drejtim të rritjes së turizmit dhe potencialit turistik që kanë të dyja vendet. Kur flas për të dyja vendet, kam parasysh rajonin e Liqenit të Ohrit, Ohrin, Strugën dhe komunat e tjera përreth, si dhe, natyrisht, bregdetin shqiptar.

Në fund, dëshiroj të falënderoj ministrin e Punëve të Brendshme, kolegët nga Qeveria, punonjësit e MPB-së, doganën dhe të gjithë ata që u përfshinë në realizimin e këtij projekti.

Gjithashtu, dëshiroj të shpreh mirënjohje të madhe për mikun tim të madh, kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama, për mbështetjen e tij personale që dha për ta bërë realitet këtë projekt” tha kryeministri Mickoski