Një video e frikshme nga Polonia tregon momentin kur një i ri në skateboard kalon shinat hekurudhore në çastin e fundit, duke i shpëtuar për pak përplasjes me një tren që po lëvizte me shpejtësi të madhe.

Ngjarja ndodhi në fillim të nëntorit, në një kalim hekurudhor, ku i riu injoroi sinjalistikën STOP dhe semaforin e kuq, duke rrezikuar jetën e tij. Pamjet, të regjistruara nga një kamerë në tren, u publikuan nga kompania hekurudhore polake Polregio, e cila e cilësoi incidentin si një rast ku tragjedia u shmang për një fije floku.

Kompania rikujtoi se trenat nuk mund të ndalojnë menjëherë dhe se distanca e frenimit mund të arrijë disa qindra metra. Ajo theksoi gjithashtu se sinjalistika në kalimet hekurudhore duhet respektuar pa përjashtim. Sipas statistikave të publikuara nga Polregio, që nga fillimi i vitit janë regjistruar 33 viktima dhe 27 persona të plagosur rëndë në aksidente në kalimet hekurudhore në Poloni.

Përmes publikimit të videos, kompania synon të ndërgjegjësojë qytetarët për rrezikun e kalimit të shinave kur sinjalizimi paralajmëron afrimin e një treni. “Asnjë nxitim nuk ia vlen një rreziku të tillë. Ndalo, shiko përreth dhe jeto!”, ishte mesazhi i saj.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume