Shkruan: Xhemil Zeqiri
Lënda: Mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut
I nderuar z. Kryeministër!
Si veprimtar politik afro pesë dekada angazhim, gjatë të cilave kam trokitur në dyert e kancelarive skandinave dhe evropiane, si dhe të institucioneve të OKB-së, e shoh të arsyeshme t’ju drejtohem publikisht për qëndrimin e shtetit shqiptar ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Deklarata juaj gjatë vizitës së sotme në Maqedoninë e Veriut, më 22.11.2026 , sipas së cilës Shqipëria nuk ka për detyrë t’i mbrojë shqiptarët atje, më shqetësoi thellësisht.
Neni 8 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë përcakton se Shqipëria mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.
Kjo, aspak nuk do të thotë ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti tjetër dhe as nxitje konfliktesh; kjo është përgjegjësi e juaja kushtetuese, politike dhe morale për të ngritur zërin sa herë që shqiptarët përballen me diskriminim, përfaqësim, pabarazi dhe cenim të gjuhës, identitetit dhe dinjitetit të tyre kombëtar.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë kaluar periudha të gjata shpërnguljeje, përndjekjeje dhe mohimi të të drejtave kombëtare. Edhe pas pavarësimit të vendit, ata janë përballur me pengesa në arsim, përfaqësim politik e institucional, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe realizimin e të drejtave kolektive.
Themelimi i Universitetit të Tetovës, konflikti i vitit 2001 dhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit dëshmojnë për përpjekjet e shqiptarëve për barazi. Megjithatë, shumë shqiptarë vlerësojnë se fryma dhe dispozitat e kësaj marrëveshjeje ende nuk janë zbatuar plotësisht.
Rastet e Sopotit, Brodecit, vrasja e Harun Aliut, proceset “Monstra” dhe “Alfa”, si dhe ngjarjet e 9 dhe 10 majit 2015 në Lagjen e Trimave në Kumanovë, kanë ngritur revoltë për pyetje serioze për veprimet shtetërore, proceset gjyqësore dhe trajtimin e të ndaluarve. Pretendimet për shkelje drastike në këto raste kërkojnë hetime të pavarura, të hapura dhe nga qarqet ndërkombëtare.
Shqetësim serioz përbëjnë dhe regjistrimi i popullsisë dhe ligji për zgjedhjet vendore. Ekziston dyshimi se mënyra e zbatimit të tyre mund ta zvogëlojë artificialisht peshën demografike dhe politike të shqiptarëve, duke i mbajtur vazhdimisht në pozitën e pakicës. Është për të theksuar faktin që; edhe partitë shqiptare duhet të mbrojnë interesat e qytetarëve dhe të mos shndërrohen në vasale të mjera të pushtetit, për poste dhe privilegje.
Kërkesat drejtuar Qeverisë së Shqipërisë
Ju kërkoj:
1.Të vendosni çështjen e të drejtave të shqiptarëve në agjendën e dialogut me Maqedoninë e Veriut.

Thank you for reading this post, don’t forget to subscribe!
2.Të kërkoni zbatimin e plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

3.Të mbështesni barazinë kushtetuese, politike, ekonomike, gjuhësore dhe institucionale të shqiptarëve.
4.Të kërkoni hetime të pavarura për rastet e pazgjidhura dhe për pretendimet për keqtrajtime, vrasje, montime politike ose procese të padrejta gjyqësore.
5.Të kërkoni mbikëqyrje (monitorim) ndërkombëtare të regjistrimit të popullsisë, ligjit për zgjedhjet vendore dhe proceseve gjyqësore të dyshimta, të pazgjidhura drejt.
6.Të angazhoni diplomacinë shqiptare pranë Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, OSBE-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare.
7.Të zhvilloni konsultime të drejtpërdrejta me përfaqësues të politikës, botës akademike dhe shoqërisë civile shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Z. Kryeministër!
Shqipëria nuk duhet të heshtë për hir të integrimit evropian, të mos bëhet zëdhënëse e politikave që i paraqesin kërkesat legjitime të shqiptarëve si pengesë për stabilitetin rajonal. Integrimi në Bashkimin Evropian, duhet të mbështetet në barazi, sundim të ligjit dhe respektim të të drejtave të njeriut.
Mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë, nuk është armiqësi ndaj popujve fqinjë. Ajo, është mbrojtje e demokracisë, barazisë dhe paqes së qëndrueshme.
Ju bëj thirrje që ta trajtoni këtë çështje me seriozitetin që e meriton! Shqipëria duhet të jetë faktor paqeje dhe bashkëpunimi, por, njëkohësisht edhe zë i qartë, i fuqishëm, në mbrojtje të të drejtave legjitime të shqiptarëve, kudo që ata jetojnë.
Me respekt,
Xhemil Zeqiri
Veprimtar politik-Danimarkë
22. 11. 2026

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume