Në Shkup është mbajtur mbledhja konstituive e Komitetit Nacional për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve, me çka zyrtarisht nis punën mekanizmi i ri ndërinstitucional për mbrojtjen e gazetarëve dhe punonjësve të mediave në Maqedoninë e Veriut.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në fjalimin e tij theksoi se gazetaria e lirë dhe e sigurt është një nga kushtet themelore për funksionimin e demokracisë dhe se institucionet duhet të jenë të hapura ndaj pyetjeve, kritikave dhe kontrollit publik.

“Gazetaria e lirë dhe e sigurt nuk është privilegj i gazetarëve, por e drejtë dhe nevojë e çdo shoqërie demokratike. Sulmi ndaj një gazetari për shkak të punës së tij profesionale nuk është vetëm sulm ndaj individit, por edhe ndaj të drejtës së publikut për t’u informuar”, deklaroi Toshkovski.

Për kryetar të Komitetit Nacional është caktuar Muhamed Ismaili, ndihmësministër për Marrëdhënie me Publikun dhe Çështje Strategjike në MPB, i cili njëkohësisht është edhe pika kombëtare e kontaktit e Këshillit të Evropës për sigurinë e gazetarëve.

Komiteti përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Transformimit Digjital, Prokurorisë Publike, Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, Radiotelevizionit të Maqedonisë, Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë dhe Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve të Mediave.

Detyra kryesore e këtij mekanizmi do të jetë koordinimi ndërmjet institucioneve, përcjellja e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve, shkëmbimi i informacioneve dhe propozimi i masave për përmirësimin e mbrojtjes së tyre.

Ndër prioritetet kryesore është edhe përgatitja e Planit Nacional të Veprimit për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve, i cili do të përfshijë masa konkrete, përgjegjësi institucionale dhe afate për realizimin e tyre.

Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet kërcënimeve në internet, mbrojtjes së gazetareve nga ngacmimet me bazë gjinore, sigurisë së gazetarëve hulumtues dhe atyre lokalë, si dhe parandalimit të padive SLAPP, të cilat përdoren për frikësimin dhe heshtjen e gazetarëve.

Nga Komiteti theksojnë se synimi është krijimi i një sistemi ku çdo gazetar mund ta ushtrojë profesionin e tij lirshëm, profesionalisht dhe pa frikë, ndërsa çdo kërcënim apo sulm të marrë përgjigje të shpejtë dhe adekuate nga institucionet.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume