KOLUMNË | MUHAMED ZEQIRI – Tetovasot
E papranueshme dhe turp ajo që ndodhi dje në Manastir, në Ditën e Alfabetit Shqip!
Dy kryeministra shqiptarë, Edi Rama i Shqipërisë dhe Albin Kurti i Kosovës, qëndruan në të njëjtin qytet, në qytetin ku shqiptarët para 118 vjetësh u mblodhën dhe vendosën të kishin një alfabet të përbashkët. Por këta të dy, as duart nuk ia shtrënguan njëri-tjetrit! As nuk u takuan, as nuk morën pjesë bashkë në ndonjë nga manifestimet e shumta.
Po çfarë mesazhi u dërgojnë shqiptarëve këta dy liderë? Në ditën kur duhet të flasim për bashkim, ata na treguan ndarjen! Sikur të ishin dy armiq e jo dy kryeministra të dy shteteve shqiptare.
Dhe këtu përgjegjësi të veçantë kanë edhe këta të VLEN-it. Duke e ditur se Edi Rama do të vinte në Manastir më 22 Nëntor, ata u angazhuan për të organizuar ardhjen e Albin Kurtit. Deri këtu ska asgje të keqe. Mirëpo, jo vetëm që nuk arritën t’i afrojnë dy kryeministrat, por me sjelljen dhe organizimin e tyre kontribuuan që të ndodhte kjo pamje e turpshme: dy kryeministra shqiptarë në të njëjtin qytet, në Ditën e Alfabetit, pa u takuar dhe pa u përshëndetur! Çfarë organizimi është ky, kur në vend që të krijosh mundësi për bashkim, përfundon duke kontribuar në një ndarje të tillë?
Këta të VLEN-it u shkrinë duke u munduar të uleshin sa më afër Kurtit, duke bërë fotografi e duke kërkuar vëmendjen e tij. Por a nuk do të ishte më mirë që gjithë kjo energji të përdorej për t’i afruar dy kryeministrat dhe për t’i bashkuar shqiptarët, në vend që secili të kujdeset për hesapet e veta politike?
Skandali i dytë ndodhi në Qafë Thanë, gjatë konferencës së Edi Ramës me Mickoskin. Gazetari ynë, Nevrij Ademi, i bëri një pyetje që do të duhej ta bënte secili gazetar që i ka për zemër problemet e shqiptarëve në Maqedoni.
Dhe çfarë bëri Rama? Në vend që t’u përgjigjej halleve që iu parashtruan, zgjodhi ironinë dhe përplasjen me gazetarin, duke e pyetur nëse ishte protestues dhe duke e ofenduar atë.
Zoti Rama, problemin nuk qëndron te koka e gazetarit Nevrij Ademi! Problemi është te kokat e atyre që rrefuzojn të shohin hallet dhe problemet tona këtu, që ti nuk po i sheh ose nuk po dëshiron ti shohish!
Askush nuk po të kërkon të përzihesh në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut. Por të flasësh për mosrespektimin e gjuhës shqipe, për shkeljen e të drejtave dhe për problemet me të cilat përballen shqiptarët. Kjo nuk është përzierje. Është detyrim kombëtar. Madje, këtë ta inponon edhe Neni 8 i Kushtetutës së Shqipërisë e cila përcakton qartë mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë.
Është e vërtetë se shqiptarët këtu kanë përfaqësuesit e tyre politikë. Madje, parti kemi më shumë sesa që na duhen. Por pikërisht ju, zoti Rama dhe zoti Kurti, duhet të kontribuoni që ata të bashkohen rreth interesave shqiptare, e jo të vazhdojnë të ndahen edhe më shumë.
Nuk është problemi pse ti je mik me Mickoskin. Bëhu mik me kë të duash! Por pyetja është: sa mik je me Albin Kurtin e sa ai ështe mik
me ju, dhe sa jeni të gatshëm të punoni bashkë për shqiptarët? Sa jeni miq me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, dhe jo vetëm.
Sepse shqiptarët nuk kanë nevojë për përkrahje protokollare me deklarata. Kanë nevojë që dikush t’i dëgjojë kur u shkelet gjuha, kur u cenohen të drejtat dhe kur institucionet i trajtojnë si qytetarë të dorës së dytë.
Ju të dy, zoti Rama e zoti Kurti, mos harroni se nuk jeni kryeministra për t’i kënaqur egot tuaja, por për t’u shërbyer shqiptarëve.
Para 118 vjetësh, në Manastir, shqiptarët patën burra që i lanë mënjanë inatet dhe interesat personale për një çështje më të madhe. Sot, në të njëjtin qytet, dy kryeministra nuk arritën as të shtrëngonin duart.
Duhet të turpëroheni që në Ditën e Alfabetit, kur shqiptarët festojnë atë që i bashkon, Ju na treguat atë që na ndan!