Këshilltarët e VLEN-it në Butel: Mbishkrimi në shqip nuk mjafton, institucionet duhet ta zbatojnë ligjin!
E përshëndesim iniciativën e qytetarëve dhe shprehim mbështetjen tonë për çdo nismë që synon zgjidhjen e këtij problemi. Megjithatë, kjo nuk nënkupton se do të heqim dorë nga kërkesa jonë për një zgjidhje të mirëfilltë institucionale, në përputhje me ligjin. Nismat qytetare i mbështesim, por përgjegjësia për zbatimin e ligjit dhe zgjidhjen e problemit u takon institucioneve kompetente.
Si këshilltarë të VLEN-it në Komunën e Butelit, kërkojmë përgjegjësi institucionale për moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe insistojmë që gjuha shqipe të respektohet në të gjitha nivelet e funksionimit të komunës.
Rasti i mbishkrimit në Parkun “Oaza” dëshmon se problemet e pazgjidhura vazhdojnë të na përcjellin edhe sot. Kjo është pasojë edhe e mënyrës se si BDI, gjatë kohës sa ka qenë në pozita vendimmarrëse, i ka trajtuar këto çështje, duke pranuar dhe lënë pas zgjidhje gjysmake, në vend të zgjidhjeve të qëndrueshme dhe në përputhje me ligjin.
Ne nuk pranojmë që gabimet dhe lëshimet e së kaluarës të vazhdojnë të prodhojnë pasoja edhe sot. Vendosja e mbishkrimit në shqip në Parkun “Oaza”, nga qytetarët dhe jo nga institucionet kompetente, nuk e zgjidh problemin dhe nuk e zëvendëson detyrimin ligjor të institucioneve.
Kërkojmë përgjegjësi dhe zgjidhje konkrete institucionale, në mënyrë që Ligji për Përdorimin e Gjuhëve të zbatohet në mbishkrimet publike, dokumentacionin zyrtar, komunikimin institucional dhe të gjitha shërbimet komunale.
Nuk kërkojmë privilegje, por zbatimin e ligjit, barazi dhe trajtim të drejtë të qytetarëve. Respektimi i gjuhës shqipe nuk është çështje vullneti politik, por detyrim ligjor.
Si këshilltarë të VLEN-it, nuk do të heshtim dhe nuk do të pajtohemi me zgjidhje gjysmake. Do të vazhdojmë të kërkojmë përgjegjësi dhe zbatim të plotë të ligjit në Komunën e Butelit!