Në kuadër të manifestimit “Çairi feston Nëntorin – 20 Vjet Krenari”, sot në Teatrin Shqiptar në Shkup u shënua 20-vjetori i Shkollës Fillore “Kongresi i Manastirit”. Në këtë përvjetor mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i cili rikujtoi fillimet e projektit të kësaj shkolle në vitin 2006, kur gjatë mandatit të tij si kryetar i komunës u ndërmorën hapat për kalimin nga objektet e përkohshme dhe barakat drejt ndërtimit të një shkolle moderne, me kushte të denja për arsimimin e nxënësve shqiptarë.

Mexhiti theksoi se viti 2006 përfaqëson një periudhë të rëndësishme në historinë e zhvillimit të Çairit. Krahas nisjes së projektit të shkollës “Kongresi i Manastirit”, ky vit shënoi edhe vendosjen e shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Shkup, ndërsa në vitet pasuese vijoi emërtimi i shkollave dhe rrugëve me emra të personaliteteve historike shqiptare.

“Këto nuk ishin nisma të shkëputura nga njëra-tjetra, por pjesë e një vizioni më të gjerë, që të ndërtonim një Çair modern, që zhvillohet, por që njëkohësisht ruan dhe afirmon identitetin, historinë dhe trashëgiminë tonë kombëtare”, theksoi kryetari Mexhiti.

Duke vlerësuar rrugëtimin dydekadësh të shkollës, Mexhiti nënvizoi se ajo që nisi si projekt, sot është një institucion arsimor me identitet, histori dhe mijëra nxënës që kanë kaluar nëpër bankat e tij. Me rastin e këtij jubileu, kryetari Mexhiti uroi kolektivin dhe nxënësit e shkollës “Kongresi i Manastirit”, duke u dëshiruar suksese të mëtejshme në edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume