Një marsh protestues kundër femicideve, dhunës ndaj grave dhe papërgjegjësisë institucionale do të mbahet sot në Shkup. Tubimi është caktuar për në orën 17:00, në parkun „Gruaja Luftëtare“, me thirrje të iniciativës joformale feministe „Asnjë më shumë!“.

Marshi organizohet më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, me kërkesë për drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për mënyrën se si kanë vepruar institucionet kompetente.

„Kur institucionet janë të shurdhëra, le t’i detyrojmë të na dëgjojnë!“, thonë organizatorët, duke u bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës.

Protesta e sotme është vazhdim i mobilizimit pas rasteve të fundit të dhunës ndaj grave. Më 20 nëntor, iniciativa organizoi një bllokadë para Qeverisë, ndërsa më herët, më 8 nëntor, u mbajt edhe një marsh protestues. Në qendër të kërkesave është përgjegjësia e institucioneve për mënyrën se si trajtojnë denoncimet për dhunë.

Thirrja për protesta të reja erdhi edhe pas rastit të një gruaje të re, e cila u rrah brutalisht në Ohër. Lëvizja kërkon që mbrojtja e grave dhe reagimi i institucioneve kompetente të jenë prioritet.

Në prag të shënimit të sotëm, organizatat për të drejtat e grave kërkuan masa konkrete institucionale. Ndër kërkesat është edhe miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje, më së voni deri më 10 dhjetor.

Me datën e sotme fillon edhe fushata „16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore“, e cila përfundon më 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume