Në kuadër të një marrëveshjeje të re ndërmjet Intesa Sanpaolo Bank Albania dhe Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), bizneset shqiptare do të kenë të drejtë të përfitojnë grante për të nxitur inovacionin teknologjik dhe veprimin për klimën. Sipas marrëveshjes, Intesa Sanpaolo Bank Albania do të vërë në dispozicion të kompanive një grant të Bashkimit Evropian prej 2 milionë eurosh për projekte në fusha që shtrihen nga zhvillimi digjital deri te bujqësia e qëndrueshme.

Grantet individuale për kompanitë do të mbulojnë deri në 10% të kostove të projekteve të tyre, duke ofruar një nxitje shtesë për investime në një kohë kur Shqipëria synon të anëtarësohet në BE. Ndër projektet e inovacionit që mund të përfitojnë mbështetje janë digjitalizimi i veprimtarive të biznesit dhe përdorimi i teknologjive të përparuara, si inteligjenca artificiale, robotika dhe bioteknologjia. Në fushën e qëndrueshmërisë, mund të përfitojnë mbështetje nismat për bujqësinë e gjelbër, ekoturizmin, mbrojtjen e biodiversitetit dhe ruajtjen e ekosistemeve.

“Bashkimi Evropian është i përkushtuar të mbështesë sektorin privat të Shqipërisë nëpërmejt një sërë programesh dhe instrumentesh financiare, përfshirë mbështetjen nëpërmejt EIB-it, bankës së BE-së, si dhe bankave tregtare si Intesa Sanpaolo,” tha Ritva Heikkinen, Shefe e Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri. “Qëllimi ynë është të ndihmojmë në ndërtimin e një ekosistemi dinamik dhe të shëndetshëm të inovacionit, të aftë për të konkurruar me homologët e tij evropianë deri në momentin kur Shqipëria të anëtarësohet në BE dhe më tej, duke krijuar vende pune dhe gjeneruar mirëqenie për qytetarët shqiptarë.”

Granti i BE-së plotëson linjën e kredisë prej 20 milionë eurosh që Intesa Sanpaolo Bank Albania mori më herët këtë vit nga BEI-ja në kuadër të “Instrumentit për Inovacionin dhe Transformimin e Gjelbër”.

“Ky grant do t’i ndihmojë kompanitë të rrisin investimet në inovacion dhe të përshpejtojnë tranzicionin e tyre digjital dhe të gjelbër”, tha drejtori i BEI-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Richard Amor. “Teksa kompanitë shqiptare digjitalizohen, dekarbonizohen dhe përvetësojnë modele të reja biznesi, ato do të bëhen më konkurruese dhe do të kontribuojnë në procesin e integrimit të vendit në BE.”

BEI-ja dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania nënshkruan sot në Tiranë marrëveshjen e grantit gjatë një konference BE–Ballkani Perëndimor për investimet.

“Në Intesa Sanpaolo Bank Albania, ne e shohim veten si partner afatgjatë të bizneseve, duke mbështetur aftësinë e tyre për të investuar, për të sjellë risi dhe për të konkurruar në një treg europian gjithnjë e më dinamik. Duke kombinuar linjën e kredisë prej 20 milionë Euro të Bankës Europiane të Investimeve (BEI) me këtë grant prej 2 milionë Euro të BE-së, po i mundësojmë kompanive shqiptare burime financiare shtesë dhe po i ndihmojmë ato të përshpejtojnë investimet në dixhitalizim dhe në tranzicionin e gjelbër, duke kontribuar njëkohësisht në rritjen e qëndrueshme dhe në konkurrueshmërinë afatgjatë të ekonomisë shqiptare”, tha Giuseppe Giampietro, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo Bank Albania.

Granti prej 2 milionë eurosh jepet në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), një platformë kyçe e BE-së për nxitjen e zhvillimit socioekonomik në rajon.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume