Mickoski: Çiftet e reja bashkëshortore nga dhjetori do të kenë procedurë më të lehtë për zgjidhjen e çështjes për banim
Në dhjetor në Kuvend do të dorëzohen dy ligje të posaçme të lidhura me standardin e të rinjve, përkatësisht të çifteve të reja bashkëshortore, në mënyrë që vitin e ardhshëm të mund të zbatohen.
Të dy ligjet u referohen çifteve të reja bashkëshortore, ku të paktën njëri nga bashkëshortët të jetë deri në moshën 35-vjeçare, në mënyrë që të mund të përfitojnë sipërfaqe banimi e cila do të jetë 20% më e lirë se çmimi i tregut i vitit të kaluar, si dhe ligjit të dytë, me të cilin komunat nuk do të paguajnë taksa komunale për të njëjtën kategori të çifteve bashkëshortore.
Masa e parë; një çift i ri bashkëshortor deri në 35 vjeç ose të paktën një anëtar në atë bashkësi martesore të jetë në moshën deri në 35 vjeç, do të fitojë të drejtën të shfrytëzojë 20% zbritje për sipërfaqe banesore krahasuar me mesataren e vitit paraprak për atë komunë kadastrale.
Mickoski ka kërkuar nga Kadastra një analizë në përputhje me marrëveshjet.
-Analiza, sipas të dhënave të Kadastrës për tre tremujorët e parë të këtij viti, duke qenë se ky vit do të jetë pikë referimi për çmimet e vitit të ardhshëm, tregon shifra interesante, theksoi Mickoski, i cili përmendi një pjesë të tyre.
-Në tre tremujorët e parë, në komunën kadastrale Qendër, çmimi mesatar për metër katror shitet me 1.915 euro, aq sa ka evidentuar Kadastra. Nëse kompanitë ndërtimore kanë shitur me atë çmim apo jo, por aq figuron në kontratë dhe aq kanë paguar tatim, 1.915 euro për metër katror. Zbritja prej 20% do të thotë se vitin e ardhshëm, ai që do të dëshirojë të marrë leje për ndërtimin e një njësie banimi, fillimisht duhet të ndajë 10% të sipërfaqes së banimit për këta persona që i plotësojnë kushtet sipas ligjit dhe atëherë çmimi për metër katror për ta do të jetë 1.530 euro.
-Komuna e Karposhit, mesatarja që evidenton Kadastra është 1.386 euro për metër katror. Me zbritje, çmimi do të jetë 1.110 euro për metër katror. Ky është çmimi që do të duhet të paguhet.
-Ohri, mesatarja është 1.138 euro. Me zbritje do të jetë 911 euro.
-Strumica, 751 euro, me zbritje do të jetë 601 euro për metër katror për çiftet bashkëshortore deri në moshën 35-vjeçare.
-Manastiri, mesatarja për këta tre tremujorë të këtij viti është 525 euro për metër katror. Kështu e evidenton Kadastra. Me zbritje do të jetë 420 euro
-Kavadari, mesatarja është 795 euro për metër katror në tre tremujorët e parë të këtij viti, të tilla janë kontratat e paraqitura në Kadastër. Unë nuk jam ndërtues dhe nuk kam kompani ndërtimore, por vetëm i kërkova drejtorit të bëjë një analizë dhe arritëm te këto shifra. Me zbritje, çmimi është 636 euro
-Gostivari, mesatarja është 635 euro, që do të thotë se me zbritje do të jetë 508 euro.
-Tetova, mesatarja në Kadastër për këta tre tremujorë është 785 euro, që do të thotë se me zbritje do të jetë 627 euro.
-Shtipi, mesatarja është 810 euro. Me zbritje, në Shtip do të jetë 648,5 euro për metër katror.
-Ka edhe shumë të tjera, por këto janë të gjitha ndërtime të reja. Po flas për ndërtesat e reja. Këto do të jenë çmimet me të cilat ata që i plotësojnë kushtet do të fitojnë të drejtën për t’u përfshirë në këtë proces. Do të përsëris, kompania ndërtimore nuk do të mund të marrë leje ndërtimi nëse që në fazën e urbanizimit dhe projektimit nuk ndan të paktën 10% të sipërfaqes së banimit. Kjo është, vlerësojmë, një masë për të rinjtë, përmes së cilës ata do ta zgjidhin çështjen e tyre më të rëndësishme, që është banimi, shtoi Mickoski.
Mickoski shpjegoi edhe masën e dytë për çiftet e reja bashkëshortore deri në moshën 35-vjeçare, e cila u dedikohet atyre që dëshirojnë të ndërtojnë shtëpi.
-Masa e dytë, dhe përmes kësaj u dërgoj mesazh edhe BNJVL-së dhe kryetarëve të komunave që të parcelizojnë dhe urbanizojnë sipërfaqe të cilat, përmes ankandit publik, i këshilloj fuqishëm që të jenë me ankand publik me çmim prej një euro për metër katror, t’ua mundësojnë çifteve bashkëshortore që i plotësojnë këto kushte të fitojnë pronë dhe më pas, nëse ndërtojnë shtëpi, t’i lirojnë nga pagesa e taksave komunale. Vlerësojmë se këto dy masa do t’i shtojnë vlerë cilësisë së jetës së të rinjve. Gjithashtu vlerësojmë se në këtë mënyrë do të hapet një lloj rivaliteti nga komuna në komunë, të cilat praktikisht do të përpiqen të tërheqin sa më shumë çifte bashkëshortore që i plotësojnë këto kushte. Prandaj, i ftoj edhe kryetarët e komunave të mendojnë që të japin edhe këto 10% zbritje shtesë në pjesën e taksave komunale që u referohen çifteve bashkëshortore që i plotësojnë këto kushte, theksoi Mickoski.