Ukraina ka njoftuar se ka marrë nga Rusia trupat e 250 personave, të cilët pala ruse pretendon se janë ushtarakë ukrainas të vrarë gjatë luftës. Në këmbim, Moska ka deklaruar se ka marrë 22 trupa që dyshohet se u përkasin ushtarëve rusë.
Lajmi u bë i ditur nga Qendra Koordinuese e Ukrainës për Trajtimin e të Burgosurve të Luftës, përmes një njoftimi në Telegram.
Autoritetet ukrainase theksuan se trupat e dorëzuara do t’i nënshtrohen një procesi identifikimi përpara se të konfirmohet zyrtarisht përkatësia e tyre.
Sipas mediave ruse, deputeti rus Samshail Saraliev, i përfshirë në proceset e shkëmbimit, konfirmoi se Rusia kishte marrë 22 trupa nga pala ukrainase.
Shkëmbimet e trupave të ushtarëve të vrarë mes dy vendeve zhvillohen periodikisht. Shkëmbimi i fundit ishte realizuar më 22 tetor, kur Ukraina mori 252 trupa, ndërsa Rusia 25.
Diferenca në numrin e trupave lidhet edhe me faktin se forcat ruse kontrollojnë një pjesë të konsiderueshme të territoreve ku zhvillohen luftimet dhe ku ndodhen trupat e ushtarëve të vrarë.
Në fillim të tetorit, kreu i zyrës së Presidencës ukrainase, Kirilo Budanov, deklaroi se përmes operacioneve të tilla të shkëmbimit ishin riatdhesuar rreth 26 mijë trupa dhe mbetje mortore, një pjesë e konsiderueshme e të cilave ende nuk janë identifikuar.
Shkëmbimet e trupave të ushtarëve të rënë dhe të robërve të luftës mbeten ndër rezultatet konkrete të kontakteve mes Moskës dhe Kievit, gati pesë vite pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.