Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, mori pjesë në Samitin e Liderëve për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, më 27 nëntor në Tiranë, ku u diskutuan rezultatet e reformave dhe prioritetet e reja të integrimit evropian.
Në fjalimin e tij, Sali theksoi se Maqedonia e Veriut ka siguruar 142,1 milionë euro përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje. Në kuadër të kërkesës së katërt për pagesë janë raportuar 22 hapa reformues me vlerë të vlerësuar bruto mbi 112 milionë euro, të cilët presin vlerësimin e Komisionit Evropian. Deri në shtator 2026, përmes Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) janë realizuar mbi 581 mijë transaksione, me kursime të vlerësuara mbi 5 milionë euro.
Sali nënvizoi rëndësinë e kornizës së propozuar në komunikatën e Komisionit Evropian “Preparing for a wider Union”, e cila synon integrim gradual më të strukturuar dhe të parashikueshëm, përmes pjesëmarrjes më të hershme në politika, programe, agjenci dhe struktura operative të BE-së, pas përmbushjes së kushteve përkatëse. Ai shprehu gatishmërinë e vendit për dialog me Komisionin për identifikimin e mundësive konkrete të integrimit sektorial.
Në fokus ishin gjithashtu modernizimi i vendkalimeve kufitare, integrimi në zinxhirët evropianë të furnizimit, digjitalizimi dhe vazhdimësia e mbështetjes financiare evropiane pas vitit 2027. Sali ritheksoi se integrimi gradual duhet të përforcojë procesin e anëtarësimit, ndërsa anëtarësimi i plotë në BE mbetet objektivi strategjik i vendit





