Pesë persona kanë mbetur të lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur sonte në unazën rrugore „Nënë Tereza“ në Shkup, në drejtim të Tetovës.
Sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), aksidenti është raportuar në SPB Shkup në orën 19:10. Në aksident janë përfshirë tri automjete: një „Opel“ me targa të Shkupit, një „Mercedes“ me targa të Shkupit dhe një „Audi“ me targa të Kosovës.
„Pesë persona janë lënduar në aksident dhe me automjet të Ndihmës së Shpejtë janë transportuar në institucionet shëndetësore për trajtim“, njoftojnë nga MPB-ja.
Si pasojë e aksidentit, trafiku në drejtim të Tetovës po devijohet në kryqëzimin rrugor në Radishani.
Ndërkohë, ekipet e MPB-së po ndërmarrin masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e shkaqeve që çuan në aksident.