Shkup, 28 nëntor – Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska në Stamboll e pranoi çmimin prestigjioz ndërkombëtar “Liability Management Deal of the Year“ për vitin 2026, për menaxhimin e suksesshëm me borxhin publik përmes editimit të eurobondit të dhjetë dhe shlyerjes së parakohshme të një pjese të euroobondit ekzistues, me çka është realizuar kursim buxhetor prej 3,2 milionë eurove.
Siç kumtoi Ministria e Financave, çmimi u dorëzua në suaza të ngjarjes rajonale “Global Banking & Markets: CEE, Central Asia & Türkiye 2026” dhe paraqet mirënjohje ndërkombëtare për cilësinë e transaksionit, kushteve të volitshme të financimit dhe qasjes startegjike të Ministrisë së Financave në menaxhimin me portofolin debitor.
Ministria e Financave në janar 2026 e realizoi me sukses emetimin e eurobondit të dhjetë. Në proces morën pjesë mbi 150 investitorë globalë, duke përfshirë fonde kryesore pensionesh, kompani të njohura sigurimesh dhe investitorë të tjerë institucionalë nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian.
“Kjo mirënjohje është konfirmim për qasjen e përgjegjshme dhe strategjike ndaj menaxhimit të borxhit publik. Në kushte të pasigurisë së shtuar globale makroekonomike dhe gjeopolitike, ne kemi siguruar norma interesi jashtëzakonisht të favorshme, një shpërndarje më të barabartë të maturimeve dhe një ulje të rreziqeve të rifinancimit. Është veçanërisht e rëndësishme që përmes strukturimit të kujdesshëm të transaksionit kemi siguruar kursime konkrete buxhetore prej 3.2 milionë eurosh. Interesi i fortë i investitorëve ndërkombëtarë është një konfirmim shtesë i besimit në politikat ekonomike që po zbatojmë”, theksoi ministrja Dimitrieska-Koçoska.
Çmimet Global Banking & Markets u krijuan në vitin 2014 dhe ndahen në bazë të vlerësimit të madhësisë, strukturës, afateve, kushteve të financimit dhe cilësisë së ekzekutimit të transaksioneve financiare në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.