Me një koncert madhështor, dy artistët e njohur shqiptarë sollën emocione, muzikë të kultivuar, folklor dhe mesazhe të fuqishme atdhedashurie në 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Shtimja u shndërrua në një skenë të vërtetë të artit dhe krenarisë kombëtare në festën e 28 Nëntorit, ku në qendër të një spektakli të veçantë artistik ishin mezzosopranoja Besiana Mehmedi dhe tenori Shkodran Tolaj.
Para një salle të stërmbushur në Pallatin e Kulturës në Shtime, dy artistët, përmes formacionit artistik „Besiana dhe të Mirët e Kombit“, sollën një program të pasur muzikor, duke ndërthurur muzikën e kultivuar shqiptare, këngën atdhetare dhe krijimtarinë autoriale.
Nën drejtimin artistik të tenorit Shkodran Tolaj, formacioni prezantoi një repertor të përzgjedhur, ndërsa Besiana Mehmedi, me interpretimet e saj vokale dhe praninë skenike, i dha koncertit një dimension të veçantë artistik.
Mezzosopranoja Besiana Mehmedi emocionoi publikun me interpretimin e veprave të njohura të muzikës shqiptare, përfshirë „Hej ju male“ të Çesk Zadesë, „Rrjedh në këngë e ligjërime“ të Feim Ibrahimit dhe „Legjendat këndoja me mall“ të Sami Pirajt, e shoqëruar në piano nga artistja Magdalena Seda.
Ndërkaq, Shkodran Tolaj solli këngë atdhetare, vepra të muzikës së kultivuar shqiptare dhe krijime autoriale. Një moment i veçantë ishte interpretimi i këngës së tij më të re, „Po ku je, o Dervish Shaqa“, kushtuar figurës emblematike të këngës shqiptare. Bashkë me publikun, ai interpretoi edhe „Fjalët e qiriut“ dhe „Albulena“, duke krijuar momente të fuqishme emocionale.
Përveç performancave muzikore, programi u pasurua nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve „Ilirida“, kori i qytetit, kori i fëmijëve dhe valltaret e „Pasion Dance Studio“.
Një dimension tjetër koncertit i dha edhe aktori Pajazit Murtishi me interpretimin e „Poemit Kosovar“ të Mitrush Kutelit.
E veçantë ishte edhe paraqitja e Besiana Mehmedit si prezantuese e gjithë mbrëmjes. Përmes një moderimi profesional, por edhe emocional e spontan, ajo solli në vëmendje historinë e Shtimes dhe Caralevës, periudhën e viteve 1910–1912, luftën e fundit dhe rëndësinë historike të kësaj treve, duke kujtuar edhe tragjedinë e Reçakut.
Mesazhi i saj ishte një rikujtim se liria nuk erdhi si dhuratë, por si rezultat i sakrificës së brezave të tërë.
Paraqitja e Besiana Mehmedit dhe Shkodran Tolajt dëshmoi edhe një herë rëndësinë e angazhimit të artistëve shqiptarë në ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e identitetit kulturor e kombëtar.
Ky koncert, i mbështetur nga Komuna e Shtimes, ishte një dëshmi se arti, muzika dhe kultura mbeten ura të fuqishme bashkimi ndërmjet shqiptarëve, pavarësisht kufijve gjeografikë.
Në këtë 28 Nëntor, Besiana Mehmedi dhe Shkodran Tolaj, së bashku me artistët pjesëmarrës, e shndërruan Shtimen në një skenë të emocioneve, kujtesës historike dhe krenarisë kombëtare,





