Ministri për Punë të Jashtme, BE dhe Bashkëpunim i Mbretërisë së Spanjës, José Manuel Albarez Bueno, nesër, më 14 prill 2023 do të qëndrojë për vizitë pune njëditore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Përveç takimit me nikoqirin e tij, Ministrin Osmani, Ministri Albarez do të takohet edhe me Zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.

Nga MPJ-ja njoftojnë se krahas marrëdhënieve bilaterale midis dy vendeve, në fokus të bisedimeve pritet të jetë përshpejtimi i procesit të anëtarësimit tonë në Bashkimin Evropian, në dritën e presidencës së ardhshme të Spanjës me Këshillin e BE-së në gjysmën e dytë të vitit. Në këtë drejtim është planifikuar nënshkrimi i Memorandumit dypalësh të Mirëkuptimit për Zhvillimin e Bashkëpunimit në Procesin e Anëtarësimit në BE.

Në takim do të trajtohen edhe mundësitë e thellimit të marrëdhënieve ekonomike, si dhe bashkëpunimi sektorial në segmente të tjera të jetës shoqërore.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume