Skandali financiar për të cilin shkroi mbrëmë portali informativ indeks.mk nuk mbaron aty.

Përveç 4 milionë denarëve të transferuara në xhiro-llogarinë e “I-Point Marketing”, për materiale të shtypura dhe promotive, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami kujdeset që pronari i kësaj kompanie të marrë edhe rrogë mujore nga Komuna e Tetovës.

Indeks.mk ka zbuluar edhe listën ku shihet se Mensur Aliti, i cili në dokumente paraqitet si pronar, është i kontratuar dhe i punësuar nga Komuna e Tetovës.

Sipas dokumentit, Aliti nga Komuna e Tetovës në muaj merr nga 22 mijë denarë.

Burime të sigurta të indeks.mk-së konfirmojnë se Aliti është i punësuar si “ekspert” i furnizimeve publike në kabinetin e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Aliti në opinion njihet si person i afërt i Sekretarit të Lëvizjes Besa, Adnan Azizi dhe në të kaluarën kur Lëvizja Besa ka qenë në pushtet, ai ka qenë i angazhuar në kabinetin e zv.ministrit të Kulturës, Sedat Sulejmani.

Ndryshe, dje indeks.mk raportoi se Mensur Aliti me kompaninë e tij, “I-Point Marketing”, me nënshkrim të Bilall Kasamit ka “marrë” dy kontrata vlera e të cilave pa TVSH, kalon shumën prej 4.1 milion denarëve për materiale të shtypura e promotive të cilat obligohet sipas nevojës t’i dorzojë komunës.

Por Aliti nuk është “militanti” i vetëm i punësuar në Komunën e Tetovës, nga ky institucion marrin rrogë edhe disa “militantë” të tjerë për të cilët indeks.mk do të raportojë në vazhdim

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume