Kryetari i PD, Sali Berisha ka zhvilluar sot në turin e tij elektoral takimin me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Berat, Zija Ismaili. Berisha nga Berati iu tha qytetarëve se në 14 Maj ata votojnë për veten e tyre, rivendosjen e pluralizmit, ndaj dhe duhet që të votojnë për ndryshimin.

Lideri i opozitës theksoi se, me ardhjen në pushtet të PD, energjia e cila është shndërruar në makthin e shqiptarëve, nga 220 Lekë, do të shkojë sërish në 6 Lekë, siç ka qenë më parë. Berisha tha se pasuritë e Shqipërisë janë të mëdha, dhe se populli nuk është i varfër nga natyra, por nga qeveria që vjedh pareshtur.

Kryetari i PD, Sali Berisha shprehu se gënjeshtrat e rilindasve nuk kanë të sosur, kështu që ai propozoi që për mashtrimet e tyre të varet një barometër në Parlament. Një ndër rastet kryesore që theksoi Berisha në fjalën e tij, ishte edhe furnizimi i Beratit me 24 orë ujë, ku kjo e fundit nuk është e vërtetë.

“Berati nuk ka ujë 24 orë, por është një gënjeshtër parlamentare. Unë kam kërkuar që të gjejmë një barometër të gënjeshtrave e ta varim aty në parlament, se ju nga mëngjesi deri në darkë në sesionet e parlamentit dëgjoni rilindasit që nxjerrin vetëm gënjeshtra ndaj jush. Në fshatrat e Beratit, as nuk bëhet fjalë për furnizim me ujë. Fshatarët e Beratit sot janë më të braktisur se kurrë. Atëherë, iu bëj thirrje të votojnë për veten e tyre. Në qoftë se ndjehen mirë, dakord, por nëse konstatojnë se janë braktisur, se fermat e tyre nuk kanë sukses, se prodhimet e tyre nuk rrisin mirëqënien e tyre, atëherë i ftoj të votojnë ndryshimin. Ndryshimi është në duart tuaja, votoni Zija Ismailin”, tha Berisha.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume