Zëvendës ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bekim Rexhepi, s’bashku me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu në Shkup sot edhe zyrtarisht kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëfinancim të rrugës Tetovë-Prizren.

Sipas përfaqësuesve të dy vendeve, kjo rrugë është shumë e rëndësishme për qytetarët në dy anët, si për ato të Maqedonisë po edhe të Kosovës. Ministri Aliu dhe zëvendësminitri Rexhepi thanë se ky projekt kalon kufijtë e lokales dhe është një projekt madhorë për dy vendet.

Zëvendësministri Rexhepi tha se ky projekt mes tjerash do të ndikojë edhe në zhvillimin e turizmit në qendrën turistike, Kodra e Diellit, nga edhe do të kalojë si rrugë.

“Nënshkruaj marrëveshjen për bashkëfinancimin, kompletimin dhe ndërtimin e tunelit në drejtimin e aksit rrugor Tetovë-Prizren. Kësaj marrëveshje ndërshtetërore i kanë paraprirë një sërë takimesh të grupeve të punës nga të dyja vendet, të cilat i falënderoj sepse gjetën zgjidhjen më optimale për këtë projekt. Në bazë të studimit të fizibilitetit nga ana jonë janë ofruar opsione të ndryshme për zgjedhjen e trasesë së rrugës Tetovë-Prizren dhe e pranueshme për të dyja vendet ishte traseja në ndërtimin e tunelit 6.4 km të gjatë. Traseja e rrugës së re fillon në Tetovë përmes Kodrës së Diellit, Brodecit dhe përfundon në vendbanimin Veshallë nga pjesa e Maqedonisë së Veriut”, tha Rexhepi.

E ministri Aliu tha se kjo rrugë është e rëndësishme dhe se nuk do të lidhë vetëm Tetovën dhe Prizrenin por do të ketë lidhje edhe me autostradën dhe Kosovën me Shqipërinë.

“Është një rrugë jashtëzakonisht e rëndësishme që s’e lidh vetëm Prizrenin me Tetovë, por edhe me autostradën “Ibrahim Rugova” që e lidh Prishtinën me Durrësin e Tiranën, rrjedhimisht krijon mundësi të kyçjeve nëpër korridore dhe më gjerë në nivel të rajonit”, tha Aliu

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume