Komisioni për Mbrojtje dhe Siguri sot i priti studentët e fakulteteve të ndryshme.
Në kuadër të vizitës studimore të Kuvendit në Akademinë e Katërt të NATO-s, u hap diskutimi me temë “Roli i Kuvendit dhe bashkëpunimi me NATO-n”.
Kryetari i Komisionit, Pavle Arsovski e shpjegoi rolin e Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri në procesin e anëtarësimit të vendit në Aleancën e NATO-s.
Ai theksoi se organet që e mbulojnë sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes janë Komisioni për Mbrojtje dhe Siguri, Komisioni për Mbikëqyrje të Agjencisë për Siguri Nacionale dhe Agjencisë për Zbulim dhe Komisioni për Mbikëqyrje për Zbatimin e Masave për Ndjekjen e Komunikimeve.
Sipas Arsovskit, në Komisionin për Mbrojtje dhe Siguri ka shkallë të lartë të bashkëpunimit dhe vetëdijes, por edhe mirëkuptim për çështjet e sigurisë nacionale dhe se komisioni vepron si ekip. Ai theksoi se roli i Kuvendit në bashkëpunimin me NATO-n është shumë i rëndësishëm, veçanërisht në pjesën e bashkëpunimit me Asamblenë Parlamentare të Aleancës, sepse kontribuon në kuptimin e çështjeve kryesore të sigurisë, por edhe për transparencë më të madhe të politikave të NATO-s.
Arsovski theksoi se një nga vendimet e para që nga pavarësia e shtetit ishte Rezoluta e Kuvendit për integrim në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Marrëveshja e Prespës i dha fund kontestit 27-vjeçar me Greqinë për emrin, si dhe ndryshimin e tij në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke zgjidhur kështu integrimin euroatlantik. Studentët bënë pyetje edhe për armatimet në vendet e rajonit, kohëzgjatjen e shërbimit ushtarak, sigurinë kibernetike, etj.