Gjyqtarët në Uruguai po testojnë një sistem të ri inovativ, përmes të cilit kartonët e verdhë dhe të kuq jepen në formë digjitale.

Në vend të kartonëve tradicionalë prej plastike, gjyqtarët tani i tregojnë ndëshkimet përmes një pajisjeje elektronike të ngjashme me një telefon mobil.

Prova e parë u zhvillua gjatë ndeshjes së Copa Uruguay mes Nacionalit dhe Rentistas, e cila përfundoi me fitoren 3-0 të skuadrës vendase.

Sistemi fillimisht ishte planifikuar të testohej në fund të shtatorit, në ndeshjen e Kupës mes Defensor Sportingut dhe Plaza Colonia, por gjyqtari nuk mundi ta përdorte për shkak të kushteve të dobëta të ndriçimit, të cilat e bënin të vështirë dallimin e ngjyrave.

Edhe gjatë testimit të zhvilluar të enjten pati ankesa për të njëjtën arsye, pasi të pranishmit sërish patën vështirësi për t’i dalluar ngjyrat në pajisje.

Kjo pajisje elektronike ka dy butona, një për shfaqjen e kartonit të verdhë dhe tjetrin për kartonin e kuq.

Pajisja regjistron automatikisht kartonët e verdhë, përjashtimet, zëvendësimet dhe incidentet e tjera që ndodhin gjatë ndeshjes, ndërsa të dhënat i transmeton në COMET, platformën digjitale që përdor Federata Uruguaiane e Futbollit (AUF) për menaxhimin e këtij informacioni, i cili tashmë regjistrohet në kohë reale.

Për momentin, sistemi i kartonëve digjitalë mbetet në fazën e testimit, ndërsa dukshmëria është identifikuar si një nga aspektet që duhet përmirësuar.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume